Tokio, 2 gusht (AP) - Olimpiada e parë e Luka Donçiqit nuk ka qenë perfekte, pavarësisht asaj që thotë renditja e basketbollit.
Ai u mund. Një herë. Nga rregullat.
Donçiq po kërkonte bileta për të parë gjysmëfinalen e turneut të tenisit ndërmjet Novak Gjokoviqit e Alexander Zverevit. Zakonisht sportistët kryesorë të botës nuk e kanë problem të hyjnë në ngjarje të tjera olimpike kur programet e tyre e lejojnë. Por në Lojërat e Tokios, në mes të një pandemie, ka politika shumë strikte se çfarë mund të bëjnë sportistët dhe ku mund të shkojnë. Si e tillë, lutja e Donçiqit për bileta nuk u përmbush. Kështu që vendosi të shikojë “gjithçka në TV”, tha Donçiq.
Një tjetër ngjarje e madhe do të jetë të martën, që është ndeshja çerekfinale e basketbollit për meshkuj në Lojërat e Tokios.
Donçiq nuk do të ketë bileta për çerekfinalet, por as nuk do të ketë nevojë për to. Ai do të jetë në fushë kur Sllovenia të ndeshet me Gjermaninë për një vend në fazën e medaljeve, një hap që do ta vendoste shtetin e tij të çmendur për basketbollin edhe më shumë në hartën e këtij sporti dhe potencialisht do ta çonte famën e tij edhe më lart.
“Ne e kemi, padyshim, lojtarin më të mirë në botë në ekipin tonë”, tha trajneri i Sllovenisë, Aleksander Sekuliq.
Donçiqi përfundimisht është në skemë për të qenë lojtari më i mirë në botë. Tani për tani ai është lojtari më i mirë në Olimpiadë, dhe për këtë nuk ka diskutim. Gjatë fazës së grupeve, Donçiq ka udhëhequr ekipin olimpik të Sllovenisë me 28.3 pikë për ndeshje, 6 pikë më shumë se Rui Hachimura i Japonisë. Ai është i dyti në kërcime me 10.7 për ndeshje, prapa bashkëlojtarit të tij te Sllovenia, Mike Tobey që ka nga 13 kërcime për ndeshje.
Dhe Donçiq është i treti në asistime me 7.0 asistime për ndeshje. Para tij janë vetëm Tomas Satoransky i Çekisë me 8.7 asistime dhe Ricky Rubio i Spanjës me 7.3 asistime për ndeshje.
Asnjë basketbollist kurrë nuk e ka përfunduar Olimpiadën me shifrat aktuale të Donçiqit. Dhe askush nuk ka regjistruar 28.3 pikë për ndeshje në Olimpiadë që nga Oscar Schmidti i Brazilit, i cili në Lojërat Olimpike “Seuli 1988” pati një mesatare prej 42.3 pikëve për ndeshje.
“Ne po e shkruajmë historinë për shtetin tonë. Kjo është arsyeja që jam këtu”, tha Donçiq.
Ndikimi i tij te Sllovenia është në të gjithë fushën. Askush në këtë turne olimpik të meshkujve nuk ka siguruar më shumë faulle sesa Donçiqi. Ai është gjithashtu i barabartë edhe për bllokadat në Olimpiadë, ka një saktësi prej 75 për qind në gjuajtjet për dy pikë. Është një nga pesë lojtarët në Olimpiadë me të paktën dhjetë shënime për tri pikë deri më tani.
Ai pati një debutim olimpik me 48 pikë dhe i mungoi vetëm një asistim në ndeshjen e së dielës kundër Spanjës për të regjistruar “triple-double”, që do të ishte i treti në histori të Olimpiadës.
“Ai është lojtari më i mirë në botë, përfshirë NBA-në”, tha trajneri i Argjentinës, Sergio Hernandez. “Nëse kishte ndonjë dyshim në mendjen time, nuk ka më”.
Sado i mirë që Donçiqi është me Dallas Mavericks, ka qenë e pamundur që të mposhtet në ngjyrat e shtetit të tij. Përfaqësuesja e Sllovenisë është në një seri prej 16 fitoreve në po aq ndeshje të luajtura me Donçiqin në formacion. Ai ishte një adoleshent në ekipin që e fitoi Kampionatin Evropian në vitin 2017 pas paraqitjes fantastike të Goran Dragiqit, një fitore që mbetet, tani për tani, arritja kryesore në historinë e basketbollit të Sllovenisë. Dragiq këmbënguli - nuk parashikoi – se kur të përfundonte ai turne, Donçiqi do të ishte një “superyll” i NBA-së.
“Ata mund ta fitojnë këtë”, tha Dragiq, i cili po e përcjellë Slloveninë në Olimpiadë nga televizori në shtëpinë e tij.
Sipas tij, arsyeja që Sllovenia mund ta fitoj medaljen e artë në Tokio, është pikërisht Donçiqi. Një fitore të martën kundër Gjermanisë do ta fusë Slloveninë në fazën e medaljeve.
“Të luash përkrah Donçiqit është fantastike. Ai është aq i talentuar. Për mua ai është lojtari më i mirë në botë”, insistoi Tobey.
Përfaqësuesja e SHBA-së në Tokio ka udhëtuar me 12 lojtarë të NBA-së, përfshirë këtu edhe Kevin Durantin. Bazuar në talentin që ka, SHBA-ja lë nën hije çdo ekip në turneun olimpik, përfshirë edhe Slloveninë.
Mirëpo, Donçiq u rrit duke luajtur stilin ndërkombëtar. Ai e di se si quhet loja. Ai i njeh nuancat. Ai është mësuar të luajë me një top që ndryshon nga ndjenja dhe kërcimi i topit të NBA-së. Për të, kalimi midis lojës për Dallasin dhe lojës për vendin e tij ka qenë i qetë.
“Luka Donçiq është një nga katër ose pesë lojtarët më të mirë në botë tani”, tha trajneri i Japonisë, Julio Lamas. “Por ai luan shumë mirë në FIBA me hapësirën dhe rregullat. Disa lojtarë të tjerë të NBA-së ndihen pakëndshëm ndonjëherë në FIBA. Ai jo. Ai është i shkëlqyer në të gjitha situatat e lojës”.
Donçiq nuk e dëshiron pjesën e bisedës për lojtarin më të mirë. Ai as nuk do të diskutojë para fillimit të sezonit për ndryshimin te Dallasi, ku ekipi i është besuar trajnerit Jason Kidd, që e ka zëvendësuar Rick Carlislen. Ai nuk dëshiron të flasë për këto gjëra deri sa të përfundojnë Lojërat Olimpike. Ai është i vendosur vetëm për të luajtur për medaljen e artë dhe asgjë tjetër. Për më tepër, ai nuk ka nevojë të krenohet me lojën e tij. Të gjithë të tjerët tashmë po e bëjnë këtë për të.
“Jam i lumtur që mund të dëshmoj dhe të luaj me të”, shtoi Zoran Dragiq, vëllai i Goran Dragiqit. “Ai është një djalë kaq i mrekullueshëm dhe është kaq e lehtë të luash me të, sepse ai është thjesht një person dhe basketbollist i pabesueshëm. Po, të gjithë mund të jemi të lumtur që ai është slloven”.