Sport

Bottas, i pari në sesionin e dytë të provave në Hungari

Valtteri Bottas e vendosi kohën më të shpejtë në sesionin e dytë të provave në Grand-Prixin e Hungarisë të premten. Ai ishte edhe më i shpejtë se vozitësi tjetër i ekipit, Lewis Hamilton.

Lideri i kampionatit në Formula 1, Max Verstappen, e përfundoi ditën jashtëzakonisht të ngrohtë në vendin e tretë, ani pse ishte para dy bolidëve të Mercedesit në sesionin e parë të provave.

Bottas ishte 0.027 sekonda para Hamiltonit dhe 0.298 sekonda para Verstappenit, i cili kryeson në tabelë me tetë pikë më shumë se Hamiltoni pas 10 garave.

Shtatë herë kampioni i Formula 1, Hamilton, bëri një gabim të rrallë gjatë sesionit kur nuk e mori mirë kthesën dhe doli jashtë pistës.

Vozitësi francez, Esteban Ocon, doli i katërti me ekipin e tij Alpine.

Por, Ferrari nuk e arriti shpejtësinë e kërkuar, dhe përfundoi në vendin e 11-të me Charles Leclerc dhe të 12-të me Carlos Sainz Jr.