Sport

Ekipi olimpik i xhudos niset drejt Japonisë

Ekipi olimpik i xhudos është nisur sot drejt Tokios së Japonisë, ku prej 23 korrik – 8 gusht do të mbahen Lojërat Olimpike “Tokio 2020”, ka njoftuar Komiteti Olimpik i Kosovës (KOK).

Xhudistët të prirë nga trajneri Driton Kuka, do të vendosen fillimisht në Komunën e Sanjos, ku do t’i zhvillojnë përgatitje, para se të transferohen më 21 korrik në fshatin olimpik në Tokio. Krahas pesë xhudistëve: Majlinda Kelmendit, Distria Krasniqit, Nora Gjakovës, Akil Gjakovës dhe Loriana Kukës, me ekipin ka udhëtuar edhe Flaka Loxha, në cilësinë e partneres së sparingut.

“Qyteti Sanjo është nikoqir i ekipit tonë, qytet ky që na ka pritur edhe para botërorit të vitit 2019.

Atje do t’i përshtatemi klimatizimit të kohës dhe do të kemi përgatitje, në të cilat nuk lejohen sparingjet me sportistë tjerë, për shkak të pandemisë. Unë besoj se ekipi është mjaftueshëm në numër për të ndihmuar njëri-tjetrin, si dhe për të mbajtur performancën dhe nivelin e përgatitjeve që tashmë e kemi arritur”, ka thënë trajneri Kuka para nisjes.

Të pesë xhudistët janë kualifikuar me normë olimpike. Ekipi olimpik I Kosovës, përbëhet prej 11 sportistëve. Pjesa tjetër e ekipit olimpik udhëton prej datës 19 korrik.