Sport

Shkëlqimi me Prishtinën ia siguroi Dellovës kontratën afatgjate me Hajdukun

Mbrojtësi kosovar, Lumbardh Dellova, erdhi si i huazuar te Prishtina në shtator të vitit 2020. Ai lëvizi nga Hajduku i Splitit. Por, Dellova kishte vetëm një synim - rikthimin sa më të shpejtë te skuadra e famshme kroate.

“Ardhja te Prishtina ka qenë mundësi shumë e mirë për mua sepse kam pasur nevojë për lojë. Në Hajduk nuk ma kanë dhënë rastin. Nuk e kam zhvilluar asnjë ndeshje me ekipin e parë, ani pse kam qenë pjesë e ekipit të parë e po ashtu edhe në 18-she në të gjitha ndeshjet. Me ekipin B i kam luajtur të gjitha ndeshjet. Unë kam kontratë me Hajdukun. Drejtuesit e klubit po i shikojnë ndeshjet e mija dhe janë shumë të kënaqur”, kishte thënë Dellova për KOHËN, më 15 shkurt të këtij viti.

Synimin edhe e arriti, fal formës që kaloi me ekipin kosovar, ku ia doli që të fitojë titullin e kampionit dhe u paraqit në garat evropiane.

Të martën, Dellova nënshkroi kontratë të re afatgjate me klubin kroat, Hajduk. 22-vjeçari nga Prizreni, firmosi deri në vitin 2025 me klubin nga Spliti.

Dellova është ndër lojtarët e paktë kosovarë që ia dalin të rikthehen në futbollin evropian, pas aventurës jo të suksesshme në herën e parë.

Ai ishte ndër mbrojtësit më të mirë në Superligën e Kosovës në edicionin 2020/2021. Përveç lojës së mirë në mbrojtje, ai furnizonte me topa të gjatë edhe sulmuesit. Realizoi një gol me Prishtinën, por kontribuoi shumë në mbrojtje, ku si rezultat i kësaj Prishtina pati mbrojtjen më të mirë në ligë. Ishte i padiskutueshëm në përbërjen e parë të trajnerit Zekirija Ramadani.

Dellova ka thënë se është shumë i lumtur që sërish është rikthyer te ekipi kroat. Ai dëshiron që ta ndihmoi klubin për të arritur objektivin. Kësaj radhe është i bindur që do t’ia dalë.

“Jam shumë i lumtur që jam përsëri në Hajduk. Do ta bëj të pamundurën që të imponohem në lojën e trajnerit dhe dua që klubi të marrë maksimumin nga unë”, tha Dellova.

Atë që e ka arritur me Prishtinën, duke e fituar trofeun më të çmueshëm të futbollit kosovar, Dellova dëshiron që ta përsërisë edhe me Hajdukun. Ai e pranon se forma e mirë me ekipin kosovar, ka bërë që të jetë sërish pjesë e klubit kroat.

“Sezonin e kaluar unë kam qenë kampion me Prishtinën dhe shpresoj që të paktën një herë ta ndjejë atë kënaqësi edhe me Hajdukun. Sezoni i kaluar ishte një përvojë vërtet e shkëlqyer për mua. I luajta të gjitha ndeshjet si qendërmbrojtës. Por, e di që mund të luajë mirë edhe si mbrojtës i krahut të djathtë”, u shpreh Dellova.

Ai shprehet i gatshëm që të luajë aty ku kërkon trajneri i skuadrës. Thotë se i duhet edhe pak kohë që të përshtatet me ekipin, por është i gatshëm për sfidat e reja.

“Çfarëdo që trajneri kërkon nga unë, do ta respektoj kërkesën e tij dhe do të jap maksimumin. Më duhet edhe pak kohë për t’u përshtatur, por jam gati për sfidat e reja që më presin”, tha Dellova. Te Hajduku, ai do të bartë fanellën me numrin 16.

Dellova ishte transferua te ekipi kroat në vitin 2018. Ai luajti për juniorët dhe ekipin e dytë, por nuk ia doli që të debutonte me skuadrën e parë. Ishte në bankën e rezervistëve në shumë ndeshje.

Dellova ka pasur paraqitje të mira edhe në ndeshje miqësore para edicionit të ri me ekipin kroat. Ai u paraqit në katër ndeshje dhe forma e mirë bëri që klubi kroat t’i ofrojë kontratë të re. Kontrata e mëhershme i skadonte në vitin 2022.

Drejtori sportiv i Hajdukut, Mindaugas Nikoliqius, e ka vlerësuar lartë Dellovën. Sipas tij, futbollisti kosovar mund të luajë në disa pozita.

“Lumbardhi është një lojtar i cili para dy vjetëve na është rekomanduar nga menaxherët. Ai luante te Liria e Prizrenit. Sezonin e kaluar ishte i huazuar te Prishtina dhe ishte lojtar titullar. Luajti në nivel të lartë dhe u zgjodh edhe në ekipin e sezonit. Ai mund të mbulojë disa pozita në mbrojtje, është në gjendje të luajë në sisteme të ndryshme taktike. Është shumë i mirë më pozitën e qendërmbrojtësit dhe mbrojtësit të krahut të djathtë. Ai mund të luajë edhe në pozicion e mesfushorit defanziv”, tha Nikoliqius.

Dellova luajti në dy ndeshjet parakualifikuese të Ligës së Kampionëve me Prishtinën, kundër Folgores dhe Inter D’Escaldes.

Por, më pas u larguar duke iu bashkuar Hajdukut dhe nuk mundi që ta ndihmojë Prishtinën kundër Ferencvaroshit në rrethin e parë kualifikues të Ligës së Kampionëve.

Lumbardh Dellova i ka luajtur dy ndeshje me Kosovën U21, kundër Anglisë dhe Austrisë.