Qendërmbrojtësi i Manchester Unitedit, Harry Maguire, është në luftë me kohën për të qenë i gatshëm që ta ndihmojë Përfaqësuesen e Anglisë prej ndeshjes së parë në Kampionatin Evropian. Maguire ka pranuar se kyçi i lënduar i këmbës “është shumë më mirë”, derisa ka shtuar se po përpiqet maksimalisht të rikuperohet në kohë për “Euro 2020”, që nis javën e ardhshme më 11 qershor.
Maguire është përfshirë në listën finale të përzgjedhësit të Anglisë, Gareth Southgate, të publikuar ditë më parë, përkundër faktit se ka gati një muaj që po qëndron jashtë fushës. Në të vërtetë, ai nuk ka mundur të luajë që nga data 9 maj kur u dëmtua në ndeshjen kampionale të Manchester Unitedit kundër Aston Villas.
Maguire i mungoi Unitedit në finalen e Ligës së Evropës, të cilën e humbi javën e shkuar nga Villarreali pas penalltive. Mirëpo, ai është optimist se nuk do t’i mungojë Anglisë në ndeshjen hapëse të Evropianit, që e zhvillon më 13 qershor kundër Kroacisë, në stadiumin “Wembley” në Londër.
“Frikën më të madhe e kisha se do të mungoja në Evropian, pasi lëndimi ishte shumë i rëndë. Megjithatë, vazhdimisht po punoj që të rikuperohem me kohë dhe çdo mëngjes po shpresoj që dhimbja do të më largohet”, është shprehur Maguire për “The Sun”. “Javën e kaluar nuk kam mundur të vrapoj, por tani dhimbja më është zbutur dhe rikuperimi po shkon shumë mirë. Kështu që jam optimist se do të jem i gatshëm për ndeshjen e parë kundër Kroacisë”.
Maguire ka thënë se edhe nëse nuk rikuperohet plotësisht, do të kërkojë të luajë për ta ndihmuar Anglinë që të ketë paraqitje sa më të mira në Evropian. Anglia bën pjesë në Grupin D, të cilin e përbëjnë edhe Çekia e Skocia. Anglezët llogariten favoritë të grupit, kurse të gjitha ndeshjet do t’i luajnë në Londër.
“Zakonisht mundohem të luaj edhe me dhimbje. Kështu që, edhe në Evropian do ta ndihmoj ekipin edhe përkundër dhimbjes – ndonëse besoj fuqishëm se do të jem i rikuperuar plotësisht. Kam pasur një edicion të ngjeshur dhe nuk kam pasur lëndime, por ky që e pësova më ka zhgënjyer shumë, pasi mungova në finalen e Ligës së Evropës”, shtoi Maguire. “Tani nuk dua të mungoj në Evropian dhe po punoj edhe më shumë që të jem gati. Kam biseduar edhe me trajnerin dhe i kam thënë që të llogarisë në mua”.
Përfaqësuesja e Anglisë ka synime të mëdha në “Euro 2020”, kurse Maguire beson se mund të shkojnë shumë larg.
“Besoj se të paktën mund t’i prekim gjysmëfinalet, që do të ishte diçka fantastike. Mirëpo, ne do të kërkojmë edhe më shumë, për shkak se e kemi një ekip të mirë”, ka shtuar Maguire. “Ndoshta mund të llogaritemi si favoritët e grupit, por duhet të tregohemi të kujdesshëm dhe t’i respektojmë kundërshtarët. Në turne të tillë nuk ka kundërshtarë të dobët”.
Maguire është njëri prej lojtarëve kryesorë tek Anglia dhe deri më tani ka regjistruar 32 ndeshje dhe ka shënuar tri gola prej se debutoi në tetor të vitit 2018. Krahas Maguiret, tek Anglia po e presin rikuperimin edhe të Jordan Hendersonit, derisa Trent Alexander-Arnold nuk do të paraqitet në Evropian pas lëndimit që e pësoi të mërkurën mbrëma në miqësoren kundër Austrisë, të cilën e fitoi Anglia me rezultatin 1:0.