Sport

Distria drejt titullit të botës

Ka shumë faktorë që e favorizojnë Distria Krasniqin për Kampionatin Botëror të Xhudos, që fillon të dielën. Botërori i vitit 2021 mbahet në Budapest të Hungarisë, ndërsa xhudistja kosovare garon të dielën, në ditën e parë. Ajo kërkon suksesin në kategorinë deri në 48 kilogramë.

Për ekipin kosovar çdo ngjitje në podium do të vlerësohej sukses shumë i madh. Botërori nuk është synimi kryesor në vitin olimpik dhe forma nuk është tempuar në atë mënyrë për ta arritur kulmin në ditët e para të qershorit. Trajneri Driton Kuka ka përgatitur planin që forma më e lartë të arrihet në javën e fundit të korrikut, kur mbahen garat e xhudos në Lojërat Olimpike “Tokio 2020”.

Megjithatë, Distria është favorite e madhe e Botërorit në kategorinë deri në 48 kilogramë. Të paktën kështu vlerësohet në botën e xhudos.

Për shkak të formës së lartë që ka kaluar në dy vjetët e fundit, Distria është e para në ranglistën botërore në kategorinë deri në 48 kg. Rrjedhimisht është bartëse e parë në Botëror. E dyta dhe e treta në ranglistë, Daria Bilodid e Ukrainës dhe Funa Tonaki e Japonisë, nuk garojnë në Botëror. Kështu që, rivalja më e madhe e Distrisë llogaritet Urantsetseg Munkhbat e Mongolisë. Në kategorinë deri në 48 kg garojnë 46 xhudiste.

Pos faktit se është bartëse e parë, Distria e di se çka duhet për sukses në Botëror. Në botërorin e kaluar, të mbajtur në Tokio në vitin 2019, u rendit e treta. Ndërsa në vitin 2017 në Budapest ishte e shtata.

Budapesti, ku mbahet Botërori, është vend që i përshtatet Distrisë, por edhe xhudisteve të tjera të Kosovës. Distria ka garuar shpesh në kryeqendrën e Hungarisë dhe ka pasur suksese të mëdha.

Mbi të gjitha është forma e jashtëzakonshme e Distrisë që e bën atë favorite absolute për medalje të artë në Botëror.

Më 16 prill ajo ka fituar medaljen e artë evropiane. Më 11 janar e fitoi Mastersin në Doha, garën ku paraqiten vetëm më të mirat në kategori. Në nëntor të vitit të kaluar fitoi të bronztën evropiane e më herët të artat në Grand Slamet në Budapest e Paris. Seria e suksesshme e saj është goxha e gjatë. Dhe forma e 25-vjeçares ka qenë në rritje të vazhdueshme.

“Shenjat janë të mira për Krasniqin në formë”, ka shkruar sajti zyrtar i Federatës Evropiane të Xhudos në analizën e bërë për kategorinë deri në 48 kg.

“Në kategorinë deri në 48 kg të gjithë sytë do të jenë të drejtuar te numri një në botë, Distria Krasniqi (KOS). Në një seri të shkëlqyeshme, Krasniqi ndihet gati si në shtëpi në arenën ku është paraqitur në tri finale dhe ku ka fituar katër medalje nga gjashtë tentime. Pavarësisht se çka ndodh në Budapest, Krasniqi do ta mbajë pozitën e parë në ranglistë. Kështu që, çfarëdo presioni të shfaqet të dielën, nuk do të ketë të bëjë me mendimet për Lojërat Olimpike të Tokios”, ka shkruar EJU.

Bilanci me xhudistet e tjera të kategorisë është një tjetër faktor favorizues për Distrinë. Ajo ka bilanc pozitiv me të gjitha bartëset e tjera, pos me kampionen në fuqi të Evropës, Shirine Boukli, me të cilën rezultati është 1:1. Ka pak gjasa që ato që nuk janë bartëse ta sfidojnë seriozisht Distrinë, ndonëse xhudistet nga Azia gjithnjë janë të paparashikueshme.

Edhe sajti i njohur për analiza të xhudos “judoinside.com” ka parashikuar fitore të Distrisë.

“Bartësja e parë është Distria Krasniqi e Kosovës. Dy rivalet më të mëdha të saj, Daria Bilodid e Ukrainës dhe Funa Tonaki e Japonisë, nuk garojnë në Budapest, por garon Shirine Boukli nga Franca, që po rritet shpejt. Prej saj Distria ka humbur në Evropianin 2020. Por, prapë se prapë, Krasniqi është top-favorite. Ajo ka fituar Mastersin 2021 dhe Evropianin 2021”, ka shkruar “judoinside.com”.

Kosovën në Botëror e përfaqësojnë edhe Nora Gjakova, Akil Gjakova, Laura Fazliu e Flaka Loxha. Trajneri Driton Kuka ka vendosur t’i pushojë Majlinda Kelmendin dhe Loriana Kukën.

Në Botërorin 2021 garojnë 703 xhudistë nga plot 131 vende të botës. Pas anulimit të botërorit të kaluar, suksesi është më i lakmuar në Budapest, ndërsa gara është provë gjenerale për Lojërat Olimpike, synimi kulmor për të gjithë sportistët.

“Sukseset e deritashme më kanë motivuar para Botërorit dhe Lojërave Olimpike. Kam punuar shumë dhe vazhdoj të punoj shumë. Shpresoj që forma e mirë të vazhdojë edhe në Botëror e Olimpiadë”, ka thënë Krasniqi për KOHËN.