Sport

Challandes: Miqësorja ndaj San Marinos mundësi për lojtarët e rinj që të dëshmohen

Seleksionuesi i Kosovës, Bernard Challandes e sheh ndeshjen miqësore ndaj San Marinos të rëndësishme.

“Do të luajmë ndaj San Marinos një ndeshje të rëndësishme. San Marino ka një skuadër të mirë. Do të shohim se çfarë mund të tregojmë në këtë takim”, ka thënë Challandes në konferencë për media.

Kosova të martën luan me San Marinon në Prishtinë me fillim nga ora 18:00. Më pas më 4 qershor luan miqësore ndaj Maltës, më 8 qershor ndaj Guineas dhe më 11 qershor ndaj Gambisë.

Challandes thotë se ndeshjet miqësore i shërbejnë për t’u përgatitur për ndeshje më të vështira.

“Kemi luajtur dy ndeshje të vështira ndaj Suedisë dhe Spanjës. Sigurisht se tash kemi kundërshtarë më të lehtë. Ka qenë ideja që të gjejmë kundërshtarë më të lehtë. Ka qenë mundësia më e mirë që ndaj këtyre dy kundërshtarëve lojtarëve të rinj t’u jepet mundësia të tregojnë cilësit e tyre”, ka thënë Challandes.

Edhe mbrojtësi Amir Rrahmani e sheh mundësi të mirë ndeshjen ndaj San Marinos për t’u dëshmuar lojtarët e rinj.

“Kemi një ndeshje me San Marinon që na shërben për grupin dhe për lojtarët e rinj. Do të jetë një mundësi e mirë. Jam i gatshëm për këto ndeshje, pas një mungese të gjatë shkaku i disa lëndimeve që pata. Kemi punuar këto ditë dhe besoj se do të paraqitemi sa më mirë në këtë ndeshje”, ka thënë mbrojtësi i Kosovës, Amir Rrahmani.