Një ditë pasi ishte ftuar nga Shpresat e Kosovës, Destan Bajselmani kishte pësuar lëndim. Ishte nëntori i vitit të kaluar dhe Bajselmani nuk mundi të grumbullohej me U21 të Kosovës në futboll. Ishte fundi i ciklit eliminator dhe për shkak të moshës, Bajselmani e humbi rastin e fundit që të luajë për Kosovën U21. Në një intervistë për KOHËN kishte thënë se shpreson që në të ardhmen të ftohet për Kosovën A.
Dhe ftesa i erdhi për ndeshjet e qershorit. Bajselmani, familja e të cilit është nga Suhareka e Skenderaj, të premten është grumbulluar me përfaqësuesen seniore të Kosovës. Kosova po të premten nisi përgatitjet për ndeshjet me San Marinon dhe Maltën. Ndeshja miqësore me San Marinon është të martën e ardhshme në Prishtinë, ndërsa ajo me Maltën më 4 qershor në Klagenfurt të Austrisë.
Bajselmani është i lindur në Holandë, ndërsa është pjesë e skuadrës holandeze, PEC Zwolle. Luan kryesisht në pozitën e mbrojtësit të djathtë.
“Sot kam arritur. Jam pak i lodhur nga rruga, por jam i lumtur që do ta kem rastin të luaj për shtetin tim. Prindërit i kam nga këtu dhe natyrisht se jam krenar për ftesën dhe për grumbullimin”, ka thënë Bajselmani të premten pasdite për KOHËN.
Disa javë më parë atë e kishte kontaktuar menaxheri i përfaqësueses së Kosovës. E kishte pyetur për situatën që e kishte në klub dhe gjëra të tjera. Më pas nuk ishte kontaktuar deri kur i shkoi ftesa.
“Kam shpresuar se do të ftohem, por nuk kam qenë i sigurt. Isha ftuar edhe nga Kosova U21, por për shkak të lëndimit nuk kam mundur të bashkohem. Tani jam me të rriturit dhe shpresoj të paraqitem mirë”, ka shtuar Bajselmani.
Ai është njëri prej katër debutuesve te Kosova. Për herë të parë janë ftuar edhe Blendi Idrizi, Bashkim Ajdini dhe Lorik Emini.
Bajselmani është rritur te Twente, ndërsa prej vitit 2015 është te PEC Zwolle, një skuadër më e vogël. Te PEC Zwolle ka kaluar të gjithë grupmoshat dhe tani është tek ekipi senior.
Në edicionin që tashmë ka përfunduar i kishte vetëm pesë paraqitje në Eredivisie. Luajti tri ndeshje në tetor të vitit të kaluar, që edhe ia siguruan ftesën tek U21 e Kosovës. I luajti edhe dy ndeshje të tjera më herët këtë muaj. Ndaj Adon Den Haag u paraqit 83 minuta, më 9 maj. Më 14 maj ndaj PSV Eindhovenit luajti 70 minuta. Në ndeshjen e fundit kampionale, ndaj Groningenit, qëndroi në stol.
“Kam munguar gjatë këtë edicion për shkak të lëndimit. Kam pasur lëndim të ijëve. Jam kthyer dhe më pas kam pasur disa lëndime të vogla, që më kanë pamundësuar të jem në formën më të mirë. Por kam luajtur në fund dhe jam i gatshëm”, thotë Bajselmani.
Ai pret të fitojë rastin për debutim.
“Natyrisht që pres të debutoj. Janë ndeshje miqësore, por kjo nuk e ul vlerën e tyre. Kemi disa lojtarë në nivel shumë të mirë, jemi përfaqësuese cilësore dhe duhet të fitojmë ndeshjet me San Marinon dhe Maltën. Duhet të shfaqim potencialin që e kemi, duke i fituar të dy takimet”, ka theksuar Bajselmani.