Sport

Torino, rasti i fundit për Muriqin

Ndeshja kundër Torinos, do të jetë rasti i fundit për sulmuesin e Kosovës, Vedat Muriqi të dëshmohet te Lazio si përforcim i qëlluar, ka njoftuar të hënën e përditshmja italiane “Gazzetta dello Sport”.

Dueli mes Lazios dhe Torinos, do të zhvillohet të martën mbrëma dhe është ndeshje e mbetur e këtij sezoni.

Muriqi në këtë ndeshje do të jetë titullar pasi te Lazio, do të mungojnë sulmuesit Felipe Caicedo dhe Joaquin Correa për shkak të lëndimeve.

Sipas gazetës italiane, dueli kundër Torinos do të jetë vendimtar për të ardhmen e Muriqit, i cili nuk ka arritur ta arsyetojë çmimin që Lazio e ka paguar për transferimin e tij.

Muriqi para fillimit të këtij edicioni iu bashkua Lazios nga Fenerbaçhe për një dëmshpërblim deri në 20 milionë euro me bonuse.

Muriqi në fillim ka pasur telashe te Lazio pasi u infektua me koronavirus si dhe kishte probleme muskulore që ndikuan në mos adaptimin e tij në ambientin e ri.

Këtë edicion, Muriqi ka shënuar dy gola dhe ka bërë një asistim në të gjitha garat, ku ka pasur 32 ndeshje në total. Ai ka kontratë me Lazion deri në vitin 2025.