Të qenët rezervist ishte bërë e zakonshme dhe e pranueshme për Kelechi Iheanacho.
I freskët nga votimi si lojtari më i mirë në Kupën Botërore U17 në vitin 2013, sulmuesi nigerian nënshkroi kontratën e tij të parë profesionale me Manchester Cityn një vit më vonë, por kishte argjentinasin Sergio Aguero, ndër të tjerë, përpara vetes. Iheanacho kishte momentet e tij - kryesisht si një zëvendësues ose në rundet e hershme të garave të kupave - por kurrë nuk kishte ngjarë të ishte zgjedhja e parë te City në një moshë të re. U transferua te Leicesteri në vitin 2017, pas një viti nën urdhrat e Pep Guardiolas. Atje, një tjetër lojtar i shkëlqyer i klubit doli në rrugë. Jamie Vardy.
Dhe me Leicesterin që luante në sulm me një lojtar, Iheanacho përsëri e gjeti veten kryesisht në stol. Kishte shënuar vetëm nëntë gola të Premier League në tri sezone e gjysmë deri në kohën kur një krizë dëmtimesh goditi ekipin në muajin shkurt.
Trajneri i Leicesterit, Brendan Rodgers ishte entuziazmuar nga mënyra se si Iheanacho gjithmonë kishte një mentalitet pozitiv në stërvitje, madje edhe në momentet e tij të shumta të ulëta dhe frustruese. Ai gjithashtu vuri re se sa i zellshëm ishte lojtari për të punuar në realizimin e tij, ndryshe nga shumë sulmues me të cilët kishin punuar, të cilët mbështeteshin në talentin e tyre natyral. Kështu, Rodgers ndryshoi sistemin e tij dhe zgjodhi të çiftonte në sulm Iheanachon me Vardyn. Pas gjashtë vjet karrierë si senior, 24-vjeçari Iheanacho më në fund po merrte një seri ndeshjesh në skenën më të lartë.
Ai nuk ka shikuar më prapa. Me 13 gola në 12 paraqitje resht, Iheanacho është sulmuesi më në formë në futbollin anglez që nga fillimi i marsit dhe është lojtari që ka më shumë gjasa ta udhëheq Leicesterin drejt fitores në finalen e Kupës FA kundër Chelseat, ndeshje kjo që luhet të shtunën.
“Shqetësimi im i vetëm me të”, tha Rodgers, “është se ai po harxhohen festimet e golave. Ai duhet të vazhdojë të shikojë numrin e festimeve që i kanë mbetur. Shpresojmë se ai mund të vazhdojë të shënojë dhe të vazhdojë të festojë”.
Askund golat e Iheanachos nuk kanë qenë më të rëndësishëm sesa në Kupën e FA për Leicesterin. Ai shënoi golin e fitores kundër Brightonit në 1/8 e finales dhe kundër Southamptonit në gjysmëfinalen e luajtur në stadiumin “Wembley” në Londër. Ndërsa dy golat e tij e ndihmuan Leicesterin ta mposhtte Manchester Unitedin (3:1) në çerekfinale, në një shfaqje individuale që bëri që shumë njerëz të kuptojnë se paraqitja e Iheanachos nuk ishte aspak e dobët.
“Unë mendoj se FA Cup më do”, tha Iheanacho, i cili shënoi “hat-trick” për Cityn në një ndeshje kupe ndaj Aston Villas në vitin 2016, që ishte vetëm ndeshja e tij e pestë si titullar. “Dhe, unë e dua Kupën FA gjithashtu”.
Thyerja e mbrojtjes së Chelseat do të jetë plotësisht një sfidë tjetër, me ekipin që ka mbajtur portën të paprekur në 19 prej 26 ndeshjeve të zhvilluara nën drejtimin e trajnerit Thomas Tuchel, i cili mori ekipin në fund të janarit. Dhe, për momentin, Chelsea ka mbrojtjen më të fortë jo vetëm në Angli, por edhe në Evropë. Megjithatë, realizimi i golave nga Iheanacho ka qenë i një standardi kaq të lartë, saqë është pothuajse e pamundur të ndalet. Ai ka një aftësi të papërshtatshme dhe të paparashikueshme të shënimit të golave duke befasuar të gjithë. Realisht, Iheanacho realizon në momentin kur më së paku pritet. E rrezikun nga Iheanacho më së miri e di portieri i Leicesterit, i cili përballet me të pothuajse çdo ditë në stërvitje.
“Ai është aq i mirë në shënimin e golave, me një fjalë i veçantë, sepse depërton nëpër mbrojtjen pa telashe dhe mposht portierin pa problem të madh”, zbuloi Kasper Schmeichel. “Ai e bën këtë vazhdimisht gjatë stërvitjes, tërë kohën. Ai është një makth në stërvitje, të them të drejtën”
Talenti i Iheanacho ka qenë gjithmonë aty. Në atë Kupë Botërore U17, tetë vjet më parë, ai shënoi gjashtë gola dhe udhëhoqi Nigerinë drejt titullit të kampionit.
Në një fazë, ndërsa ishte në City, ai kishte raport më të mirë gola-minuta se çdo lojtar në historinë e Premier League, që kishte shënuar minimumi dhjetë gola. Kjo erdhi pasi ai shënoi 12 gola nga vetëm 19 goditje, duke shënuar çdo 96 minuta. Nuk është çudi që Guardiola e quajti atë “një golashënues natyror”.
Ai megjithatë nuk shënoi një gol të vetëm në kampionat nga shtatori i vitit 2018 deri në dhjetor të vitit 2019. Këtë sezon ai nuk kishte shënuar në kampionat deri më 3 shkurt. Tani ai është golashënuesi më i mirë i Leicesterit dhe e ka kthyer Vardyn më shumë në krijues të rasteve sesa golashënues.
“Ai shumë shpejt ka fituar mbi njerëzit”, tha Rodgers. “Kjo është vetëm përmes punës së palodhur, rezistencës dhe talentit të tij. Ajo që po shihni është një lojtar i ri në kulmin e lojës së tij”.