Sport

Flicku thotë se nuk ka presion për ta konfirmuar postin te Gjermania

Trajneri në largim i Bayern Munichut, Hansi Flick, ka thënë se “nuk ka presion” për ta konfirmuar se a do ta marrë drejtimin e Gjermanisë pas Evropianit 2020.

Drejtori i Federatës së Futbollit të Gjermanisë, Oliver Bierhoff, ka thënë të enjten se shpreson që ta zyrtarizojë Flickun si drejtues të skuadrës para nisjes së “Euro 2020”. Evropiani ishte paraparë të zhvillohej vitin e kaluar, por u shty për këtë verë, dhe nis më 11 qershor. Drejtori Bierhoff po ashtu ka konfirmuar se Flickut i nevojitet kohë për ta marrë vendimin final, pavarësisht “bisedimeve të mira” ndërmjet palëve.

Flicku ishte asistent i Joachim Loewit ndërmjet viteve 2006-2014. Tani është i lirë pasi i ka thënë Bayern Munichut se do të largohet nga klubi pas këtij sezoni.

Zëvendësues i 56-vjeçarit do të jetë trajneri aktual i Leipzigut, Julian Nagelsmann, i cili ende nuk ka fituar ndonjë trofe në karrierën e shkurtër, por impresive si trajner. Humbi 4:1 nga Dortmundi të enjten në finale të Kupës së Gjermanisë.

Flicku do të jetë edhe dy ndeshje si trajner i Bayernit. Do të luajë kundër Freiburgut të shtunën si mysafir. Robert Lewandowski mund ta thyejë rekordin e Gerd Mullerit për më shumti gola brenda një sezoni në Bundesliga. Mulleri pati 40 gola të shënuar, ndërsa sulmuesi polak ka 39 deri tani.