Trajneri i Leeds Unitedit, Marcello Bielsa dëshiron që futbollisti shqiptar Ezgjan Alioski të mbetet pjesë e ekipit anglez edhe pas përfundimit të këtij edicioni, ka shkruar sajti “TeamTalk” të mërkurën.
Alioski ka kontratë me Leedsin deri në fund të sezonit dhe mësohet se klubi tashmë i ka ofruar rinovimin e kontratës pasi nuk ka arritur marrëveshje me Galatasarayn. Bielsa e sheh Alioskin si lojtar të rëndësishëm për Leedsin dhe shpreson që ai të arrij marrëveshje me klubin për vazhdimin e bashkëpunimit.
“Nëse Alioski vazhdon kontratën me Leedsin, do të isha shumë i lumtur pasi e shoh si lojtar të rëndësishëm”, ka thënë Bielsa që ka konfirmuar negociatat mes Leedsit dhe Alioskit për vazhdimin e kontratës. Alioski 29-vjeçar këtë edicion ka shënuar tri gola dhe ka bërë dy asistime për Leedsin në të gjitha garat. Ai është pjesë e ekipit anglez prej vitit 2017 kur iu bashkua nga Lugano.