Sport

Atletico në garë për De Paulin

Ekipi nga La Liga, Atletico Madridi është futur në garë për shërbimet e mesfushorit të Udineses, argjentinasit Rodrigo de Paul, ka njoftuar të mërkurën sajti italian “Calciomercato”.

Bëhet e ditur se trajneri i Atleticos, Diego Simeone po insiston në transferimin e De Paulit gjatë kësaj vere pasi e sheh si përforcim të duhur për mesfushën në sezonin e ri.

Madje, klubi spanjoll është i gatshëm të ofrojë rreth 40 milionë euro për ta bindur Udinesen në lirimin e De Paulit, i cili po kërkohet edhe nga Interi, Milani, Juventusi e Leeds Unitedi.

De Paul është kapiten i Udineses dhe ka kontratë me këtë ekip deri në verën e vitit 2024.

Këtë edicion, 26-vjeçari ka shënuar nëntë gola dhe ka bërë 11 asistime në 36 paraqitje në të gjitha garat.