Sport

E arritura e jashtëzakonshme e Russell Westbrookut merr mirënjohje nga të gjithë

Russell Westbrook, fundori i Washington Wizards, ka regjistruar “triple-doublen” e 182-të në karrierën e tij në NBA. Ylli i basketbollit e ka thyer rekordin e Oscar Robertsonit, që është pjesë e Hollit të të Famshmëve, për më së shumti “triple-double” (treshifror të dyfishtë) në ligën amerikane.

Rekordi i Robertsonit ka qëndruar prej vitit 1974, në të cilin vit edhe ishte tërhequr nga loja aktive. Robertson kishte regjistruar 181 “triple-double” në NBA, ligë në të cilën ka luajtur prej vitit 1960 deri në vitin 1974.

“Russell Westbrook, jam shumë i lumtur për ty. Familja jote duhet të ndihet krenare me ty. Të përshëndes dhe të uroj suksese të mëtejme në basketboll”, ka thënë Robertson 82-vjeçar, në një videomesazh pas thyerjes së rekordit të tij nga ana e Westbrookut.

Momenti i thyerjes së rekordit ndodhi të hënën mbrëma në ndeshjen e Washingtonit në udhëtim ndaj Atalantas, kur Westbrook regjistroi kërcimin e dhjetë, kur kishin mbetur më pak se tetë minuta deri në fund të çerekut të katërt. Westbrook ndeshjen e përfundoi me 28 pikë, 21 asistime dhe 13 kërcime, por Washingtoni e humbi ndeshjen me rezultatin 125:124.

Në fakt, Westbrook e pati mundësinë ta fitojë ndeshjen, por në tentimin e fundit për tri pikë nuk ishte i saktë. Për Westbrookun ky është sezoni i 13-të në NBA, kurse vetëm këtë sezon ka regjistruar hiq më pak se 36 “triple-double”.

Në të shkuarën, ky rekord dukej i pamundur që të thyhej. Në fakt mendohej se rekordi i vendosur nga Robertsoni nuk do të thyhej kurrë. Të vetmit lojtarë të NBA-së që kanë regjistruar mbi 100 herë “triple-double” janë Magic Johnson (138) e Jason Kidd (107), të cilët janë futur në Hollin e të Famshmëve të këtij sporti.

“Është thjesht një bekim. Kam bërë shumë për këtë lojë dhe kam sakrifikuar shumë. Mirëpo të jem në gjendje të përmendem përkrah legjendave si Oscar, Magic e Kidd është diçka që nuk e kam pritur e as që e kam ëndërruar. Jam vërtet mirënjohës për momente të tilla”, ka thënë Westbrook. “Unë këtë punë e marr me shumë seriozitet dhe do të vazhdoj të luaj edhe më fort, pasi ky është profesioni im dhe sporti që e dua”.

Tani duket edhe më e vështirë që dikush tjetër t’ia thyejë rekordin Westbrookut. Sa u përket lojtarëve aktivë në NBA, i vetmi që ndoshta mund t’i afrohet këtij rekordi është LeBron James. James ka 99 “triple-double” në karrierë, kurse pas tij vjen James Harden me 58.

“Është një e arritur e jashtëzakonshme. Westbrook e ka merituar këtë rekord dhe do të mbahet në mend gjithmonë si zotëria e ‘triple-doubleve’. Vështirë që dikush mund ta thyejë këtë rekord”, ka theksuar James.

Edhe vetë Westbrook 32-vjeçar është shprehur skeptik nëse dikush do të arrijë të thyejë rekordin e tij në të ardhmen.

“Nuk jam i sigurt, ndoshta pas 50 vjetësh do ta thyejë dikush këtë rekord, por është vështirë të besohet. Tani për tani, po e shijoj të gjithin për vete”, është shprehur Westbrook.

“Triple-double” arrihet në një ndeshje basketbolli kur një lojtar regjistron shifra të dyfishta në tri nga kategoritë kryesore të statistikave. Më së shpeshti, “triple-double” arrihet kur lojtari ka shifra të dyfishta në pikë, kërcime e asistime. Ndërsa kategoritë e tjera të statistikave përfshijnë edhe bllokadat e vjedhjet e topave. Para se të thyente rekordin e NBA-s, Westbrook hyri në ndeshjen kundër Atalantas me një mesatare prej 22 pikëve, 11.6 kërcimeve dhe 11.5 asistimeve për ndeshje.