Sport

Federata italiane kërcënon Juventusin me largim nga Serie A

Descriptive Text

Skuadra e Juventusit mund të largohet nga Serie A nëse nuk tërhiqet tërësisht nga projekti i Superligës së Evropës. Ky kërcënim për Juventusin ka ardhur të hënën nga presidenti i Federatës së Futbollit të Italisë, Gabriele Gravina.

Gravina ka kërkuar nga Juventusi që të tërhiqet nga Superliga Evropiane nëse dëshiron që sezonin e ardhshëm të jetë pjesë e elitës së futbollit italian. Juventusi ende nuk është tërhequr zyrtarisht nga ideja e krijimit të Superligës Evropiane dhe është një prej tri ekipeve, së bashku me Real Madridin e Barcelonën, që ende nuk kanë bërë një gjë të tillë. Në fakt këto tri skuadra të shtunën e shkuar reaguan nëpërmjet një komunikate të përbashkët duke kritikuar “presionet, kërcënimet dhe ofendimet” për ta braktisur Superligën.

“Kur klubet pajtohen të marrin pjesë në ligën italiane, ato pajtohen me rregulloret e federatës sonë dhe asaj ndërkombëtare. Është evidente që nëse Juventusi nuk i pranon këto rregullore, atëherë do të përjashtohet nga Serie A”, ka insistuar Gravina. “Më vjen keq, sepse kam parë tifozë të mërzitur, por të gjithë duhet të respektojnë rregullat. Nëntë ekipe tashmë kanë konfirmuar tërheqjen nga Superliga e Evropës derisa kanë mbetur edhe tri që nuk janë larguar. Shpresoj që kjo çështje të marrë fund së shpejti”.

Në të vërtetë muajin e shkuar bota e futbollit mbeti e habitur kur 12 skuadra kishin firmosur marrëveshjen për të krijuar Superligën e Evropës, që, sipas tyre, do të sillte përfitime më të mëdha. Klubet që e kishin nisur këtë projekt ishin nga Premier League, La Liga dhe Serie A. Megjithatë pas presionit të madh nga të gjitha instancat, nëntë klubet u tërhoqën zyrtarisht dhe u pajtuan që të dënohen nga UEFA për veprimin që kishin ndërmarrë. Manchester City, Manchester Unitedi, Chelsea, Liverpooli, Arsenali, Tottenhami, Atletico Madridi, Interi e Milani u tërhoqën, por jo edhe Juventusi, Real Madridi e Barcelona.

“Klubet themeluese të Superligës Evropiane kanë vuajtur dhe vazhdojnë të vuajnë presione, kërcënime dhe shkelje të papranueshme të palëve të treta për të braktisur projektin”, thuhej ndër të tjera në njoftimin e lëshuar nga tri skuadrat që ende nuk janë tërhequr nga projekti i Superligës së Evropës, Juventusi, Real Madridi e Barcelona.

Presidenti i Federatës italiane ka insistuar se do të angazhohet për të arritur një kompromis ndërmjet Juventusit dhe UEFA-s. Gravina ka pranuar se nuk dëshiron që ta largojë Juventusin nga Serie A, por është i detyruar për një veprim të tillë, nëse ekipi nga Torino nuk tërhiqet nga Superliga e Evropës që, sipas tij, tashmë ka dështuar.

“Jam i lodhur nga kjo luftë midis UEFA-s dhe tri klubeve. Shpresoj të jem në gjendje të negocioj për të arritur një kompromis mes Juventusit dhe UEFA-s. Nuk është mirë për futbollin tonë nëse Juventusi përjashtohet nga Serie A. Rregullat janë për t’u respektuar dhe shpresoj që sa më shpejt të arrihet marrëveshja”, është shprehur Gravina.