Sport

Rrugëtimi i veçantë i trajnerit të parë të Kosovës

Descriptive Text

Ka trajektore të papritura që mund të çojnë nga një fshat i vogël në komunën Indre të Francës në një shtet të vogël në Ballkan. Kjo është historia e Sebastien Bichardit që vjen nga Saint-Benoit-du-Sault dhe është pjesë e shtabit teknik të Përfaqësueses së Kosovës në futboll.

Në fakt rrugëtimi i Bichardit në futboll është i jashtëzakonshëm. Ai në moshën 20-vjeçare vendosi të migronte në Zvicër për ta vazhduar ëndrrën e futbollistit.

“Kam luajtur në Zvicër deri në divizionin e dytë. Në të njëjtën kohë kam përfunduar kurset për t’u bërë trajner. Dhe pastaj erdhi lëndimi në moshën 27-vjeçare, që nuk më lejoi të vazhdoja karrierën si futbollist”, ka thënë Bichard në një intervistë për “LaNouvelleRepublique.fr”.

Pas lëndimit, Bichard e nisi zejen e trajnerit me ekipet e gjeneratave të reja. Punoi me U18 e U21 të Lausannet dhe U21 të Sionit përpara se të bëhej ndihmëstrajner i ekipit të parë. Te Sioni qëndroi deri në gusht të vitit të shkuar.

“Ne siguruam mbetjen në ligë dhe pas kësaj unë shkova në Brazil për të punuar në një klub të madh atje”, thotë Bichard, që u bashkua me Atletico Paranaensen. “Kam qëndruar një muaj tek Atletico”.

Pas një muaji në Brazil, Bichard po kthehej në Zvicër kur u kontaktua nga përzgjedhësi i Kosovës, Bernard Challandes, që t’i bashkohej stafit të tij. Challandes është në krye të Kosovës prej vitit 2018.

“Fillimisht, pata mundësinë që të merrja pjesë në Ligën e Kombeve me Kosovën kundër Sllovenisë dhe Moldavisë në nëntor të vitit të shkuar. Ideja ishte ta shikoja dhe hulumtoja një përfaqësuese edhe pse isha duke pritur diçka tjetër. Doli që Bernardi të infektohet me virus dhe unë të marr përsipër drejtimin e dy ndeshjeve”, ka treguar Bichard. “Isha unë ai që drejtova Kosovën dhe fituam në ndeshjen e fundit ndaj Moldavisë, falë së cilës mbetëm në Ligën C të Kombeve”.

Pas këtyre dy ndeshjeve, Bichard firmosi kontratë me Federatën e Futbollit të Kosovës (FFK) deri në qershorin e vitit të ardhshëm dhe menjëherë iu bashkua stafit të “Dardanëve” për ndeshjet eliminatore të kampionatit botëror “Katari 2022”. Në dy ndeshjet e para eliminatore, Kosova pësoi humbje në shtëpi nga Suedia (3:0) dhe në udhëtim nga Spanja (3:1). Bichard thotë se është adaptuar me punën e re dhe e njeh mirë mentalitetin e kosovarëve.

“Federata e Kosovës është pranuar para pesë vjetësh. Në Zvicër sikurse në Gjermani, ka shumë njerëz nga Ballkani, sidomos nga Kosova, përfshirë këtu reprezentuesit Xherdan Shaqiri e Granit Xhaka. Kështu që e njoh mirë kulturën e tyre”, ka thënë Bichard, duke shtuar se Kosova mund të mbështetet në disa prej lojtarëve që bëjnë karrierë në Ligue 1, Arbër Zeneli, Valon Berisha, Bersant Celina, dhe në Serie A, Amir Rrahmani, Samir Ujkani. Përvoja e Bichardit te Kosova është e mirëseardhur dhe edukative.

“Ndeshja në Spanjë ishte e jashtëzakonshme. Spanja luan një futboll fantastik dhe ne u munduam t’i pengonim me metodat tona. Pësuam 3:1 në një ndeshje që na shërben të zhvillohemi dhe të rritemi. Tani për tani, ne vetëm mund të garojmë në turne të tillë me skuadra të tilla”, shtoi Bichard. “Dëshira ime është të gjej një projekt për t’u angazhuar si trajner kryesor. Ajo që ka rëndësi për mua është që të jem në elitë. Dua një sfidë në Francë apo Zvicër”, tha Bichard, që insistoi se do të mësojë shumë edhe nga përvoja e ndihmëstrajnerit te Kosova.