Sport

Shibeniku mbetet në elitë falë golit të Suad Sahitit

Shibeniku ka siguruar qëndrimin në elitën e futbollit të Kroacisë falë një goli të shënuar nga Suad Sahiti.

Sulmuesi shqiptar realizoi të premten gol për Shibenikun që fitoi përballë Istras me rezultatin minimal 1:0 në kuadër të xhiros së 33-të në HNL-n e Kroacisë.

Me pikët e plota të marra, Shibeniku ka siguruar matematikisht qëndrimin në elitën e futbollit kroat.

Sahiti shënoi në minutën e 54-rt të ndeshjes pas asistimit të Alvaro Martinit. Goli u anulua fillimisht për pozitë jashtë loje, por u pranua më pas nga VAR-i.

Emir Sahiti, vëllai i Suadit, luajti deri në minutën e 90-të, ndërsa Suadi u zëvendësua në minutën e 73-të.

Në 20-të minutat e fundit, vendësit luajtën me një futbollist më pak në fushë pasi me të kuq i ndëshkua Bailone.

Ndeshje dramatike u zhvillua deri në fundin e ndeshjes.

Istra fitoi penallti në minutën e pestë të kohës shtesë. Gjyqtari e ndëshkoi me të kuq Batarellan. Pas shtatë minutash pritjeje, VAR-i tregoi se Vuk ishte në pozitë jashtë loje. Penalltia nuk u akordua dhe kartoni i kuq nuk u dha.

Istra është në vendin e fundit me 10 pikë më pak se Shibeniku, kur kanë mbetur edhe tri xhiro deri në fund të kampionatit.

Shibeniku në pozitën e gjashtë ka 35 pikë.