Sport

Bayerni nuk do ta bëjë asnjë përforcim të madh gjatë verës

Presidenti i Bayern Munichut, Herbert Hainer, ka përjashtuar çdo mundësi të transferimit të ndonjë lojtari të shtrenjtë këtë verë, ndërsa gjigandi i Bundesligës do të “shtrëngojë rripin” për shkak të pandemisë COVID-19, që ka prekur fuqishëm klubet në financa.

“Ne do të shtojmë lojtarë në skuadër, por nuk do të bëjmë ndonjë transferim të shtrenjtë”, tha Hainer të premten për gazetën gjermane “Bild”. “Ne kemi një ekip tepër të fortë, të ri, me potencial të madh. Në këtë drejtim unë nuk jam i shqetësuar”.

Hainer ishte i qartë se ai nuk sheh “nevojë për transferime të mëtejshme të shtrenjta.”

Bayerni mund të konfirmohet kampion i Bundesligës për sezonin e nëntë rresht në ndeshjen që e luan të shtunën në shtëpi kundër Borussia Moenchengladbachut, me trajnerin Hansi Flick të gatshëm për të fituar trofeun e shtatë në 18 muaj në krye të ekipit. Flick ka kërkuar që të lirohet nga kontrata e tij dhe do të zëvendësohet nga trajneri i RB Leipzigut, Julian Nagelsmann, sezonin e ardhshëm. 33-vjeçari Nagelsmann do t’u kushtojë bavarezëve rreth 25 milionë euro dhe thuhet se dëshiron ta forcojë skuadrën e Bayernit në të gjitha pozitat.

Sidoqoftë, Hainer vuri në dukje financat e klubit të cilat janë prekur nga të gjitha ndeshjet në shtëpi që luhen me dyer të mbyllura që nga marsi i vitit 2020.

“Ne dëshirojmë të kemi një skuadër më të mirë, por realiteti është se duhet të financojmë në të. Nuk është sekret që koronavirusi po e godet fort FC Bayernin. Kjo ka një ndikim në kornizën tonë të buxhetit. Ne supozojmë se kemi rreth 150 milionë euro më pak të ardhura që nga marsi i vitit të shkuar”, pranoi Hainer.

66-vjeçari parashikon që tregu i transferimeve nuk do të jetë i lehtë për Bayernin, që tashmë ka nënshkruar me qendërmbrojtësin francez Dayot Upamecano. Për shërbimet e tij, Bayerni i ka paguar Leipzigut 42.5 milionë euro dëmshpërblim. Përveç kësaj, mbrojtësi i majtë Omar Richards po i bashkohet Bayernit si lojtar i lirë, pasi në verë i skadon kontrata me klubin e nivelit të dytë të Anglisë, Reading. Do të ketë edhe largime te Bayernin, me David Alaban, Jerome Boatengun dhe Javi Martinezin që tashmë kanë konfirmuar se nuk do të jenë pjesë e ekipit për sezonin e ardhshëm.

Boatengut dhe Martinezit, të dy 32 vjeç, nuk u është ofruar rinovimi i kontratave, ndërsa Alaba refuzoi çdo ofertë për kontratën e re dhe thuhet se do të bashkohet me Real Madridin sezonin tjetër. Ka edhe pikëpyetje mbi disa anëtarë të tjerë të skuadrës. Portieri rezervist Alexander Nuebel është lidhur me lëvizje te Monaco dhe Union Berlini. Ka pasur spekulime kohët e fundit edhe për shitjen e francezit Corentin Tolisso, të cilin Bayerni e transferoi në vitin 2017 nga skuadra e Lyonit.