Sport

Sermaxhaj: Ende s’ka përfunduar asgjë

Sami Sermaxhaj e mori drejtimin e skuadrës së Drenicës më 24 mars. Nga ajo kohë, ka katër fitore, dy barazime e një humbje. Fitoren e fundit e shënoi përballë Llapit me rezultatin 4:2. Kjo fitore e ka ngritur Drenicën në vendin e pestë me 41 pik, ndërsa Llapi është një vend më poshtë me 39 pikë.

Deri në fund të kampionatit, Drenica luan në udhëtim te Arbëria, e pret Dritën dhe i shkon Trepçës ’89.

E pas fitores ndaj Llapit, Sermaxhaj tri ndeshjet e fundit i ka konsideruar si finale për skuadrën e tij.

“Fitorja ndaj Llapit është shumë e rëndësishme në vazhdën e rezultateve pozitive. Ne përsëri mbesim 100 për qind të fokusuar në luftën për mbijetesë duke i marrë ndeshjet radhazi, pa harruar asnjëherë që i kemi tri finale edhe më të vështira se kjo e sotshmja. Po them kështu për arsye sepse kundërshtarët që janë me objektiv të njëjtë me ne kanë arritur rezultate pozitive. Prandaj, ne vazhdojmë të mobilizohemi për këto sfidat e radhës, me qëllim që në fund ta sigurojmë mbijetesën”, ka thënë të enjten për KOHËN trajneri i Drenicës, Sami Sermaxhaj.