Trajneri Hansi Flick që do të largohet nga Bayern Muncheni në fund të këtij sezoni, edhe favoriti kryesor për t’u emëruar përzgjedhës i Përfaqësueses së Gjermanisë.
Mediumet gjermane kanë raportuar të mërkurën se Flick e ka edhe përkrahjen e drejtorit Oliver Bierhoff për ta zëvendësuar Joachim Loewin pas përfundimit të “Euro 2020”.
Flick, i cili ka qenë asistent i Loewit kur Gjermania triumfoi në Botërorin e vitit 2014 dhe po shihet si njeriu i duhur për ta vazhduar punën me ekipin. Loew do të largohet nga Gjermania pas 15 vjetësh kurse Bierhoff së shpejti pritet t’i filloj negociatat me Flickun.
“Është e qartë se tani mund të flasim me të. E njohim mirë Hansin, i cili do të ishte i përkryer për ta udhëhequr Gjermaninë. Ai e njeh federatën tonë dhe është dikush që krijon atmosferë dhe i bashkohen njerëzit”, ka thënë Bierhoff në një intervistë për gazetën “Bild”.
Bayerni tashmë ka zgjedhur pasardhësin e Flickut, pasi ka zyrtarizuar Julian Nagelsmannin që do të jetë në krye të ekipit prej sezonit të ardhshëm. Flick ka qenë asistent i Loewit te Gjermania prej vitit 2006 deri në vitin 2014 kur e mori rolin e drejtorit sportiv te federata gjermane, të cilin e mbajti deri në janar të vitit 2017.