1 perditesime
22:59

Ylli, finalisti i parë, pret vendimin e FBK-së për kundërshtarin në final

Golden Eagle Ylli ka siguruar plasmanin në finalen e plejofit të Superligës së Kosovës në basketboll. Në ndeshjen e pestë të serisë gjysmëfinale të plejofit, të zhvilluar të martën mbrëma në palestrën “Mizahir Isma” në Rahovec, Ylli ka triumfuar ndaj skuadrës së Rahovecit me shifrat 85:72.

Me këtë fitore, Ylli është kualifikuar në finale me rezultatin e përgjithshëm 3:2 ndaj Rahovecit.

Elyjah Clark e Erjon Kastrati ishin më të dalluarit te skuadra e Yllit në këtë fitore të rëndësishme. Clark ndeshjen e mbylli me 28 pikë, derisa Kastrati shtoi 24 sosh. Me lojë të mirë te Ylli u veçuan edhe Demetris Morant e Valon Bunjaku që realizuan nga 12 pikë për kokë.

Në anën tjetër, te Rahoveci u veçuan Darrell Davis me 29 pikë të shënuara, i përcjellë nga Ed Daniel (21) e Alban Veseli (13) që ishin të vetmit me pikë dyshifrore.

Për Yllin kjo është hera e parë që kualifikohet në finale të plejofit derisa është në pritje të vendimit të Federatës së Basketbollit të Kosovës në lidhje me gjysmëfinalen tjetër ndërmjet Ponte Prizrenit dhe Pejës. Ndeshja e pestë dhe vendimtare mes këtyre dy skuadrave u ndërpre pas përleshjes masive që ndodhi në fund të pjesës së parë.

Për të mësuar kundërshtarin apo se kur do të vazhdojë ndeshja e Pontes me Pejën, Ylli duhet të presë të paktën deri të mërkurën.

Ndeshja në Prizren është ndërprerë me vendimin e gjyqtarëve pas përleshjes masive që ndodhi në fund të pjesës së parë. Pas përfundimit të pjesës së parë, ndodhi një përleshje e madhe, derisa lojtarët ishin duke u larguar nga parketi për të shkuar në zhveshtore. Janë përfshirë lojtarët e të dy skuadrave, janë shkëmbyer goditje, ndërsa janë përfshirë edhe persona të tjerë. Ka pasur tension në çerekun e dytë, ndërsa Dardan Berisha ka shkëmbyer fjalë me bankën e Ponte Prizrenit. Tensioni është rritur rrugës për në zhveshtore. Lojtarët janë konfrontuar fizikisht dhe janë shkëmbyer shumë goditje.

Pak minuta pas incidentit erdhi reagimi i KB Pejës që u ankua se basketbollistët dhe stafi i klubit pejan janë sulmuar nga Ponte Prizreni.

“Ngjarje të tmerrshme në përfundim të pjesës së parë. Derisa ekipi ishte duke u larguar drejt zhveshtoreve për pushimin e pjesës së parë, shikuesit dhe një pjesë e stafit dhe lojtarëve të ekipit vendas na janë vërsulur si më keq ndaj ekipit tonë. Ka edhe të lënduar nga kjo përleshje”, thuhet në reagim.

Ndeshja më nuk u zhvillua derisa nga FBK-ja kanë thënë se vendimi do të merret gjatë ditës së mërkurë. Kështu është shprehur sekretarja e përgjithshme e FBK-së, Elvira Dushku për KOHËN.

“Nuk do të ketë një vendim deri të mërkurën. Jemi duke e analizuar të gjithë situatën e krijuar dhe vendimin do ta marrim të mërkurën”, ka thënë shkurt Dushku.

Me komunikatë në lidhje me këtë incident doli edhe Ponte Prizreni. Prizrenasit kanë akuzuar Dardan Berishën dhe zyrtarët e ndeshjes për ndërprerjen e takimit. Madje, Ponte ka drejtuar gishtin kah kapiteni i Pejës, Berisha për provokim të situatës. Berishës i është drejtuar me “ish-reprezentuesi polak”.

“Në fund të çerekut të dytë ish-reprezentuesi polak, gjatë gjithë kohës duke provokuar dhe ofenduar në mënyrën më të rëndë jo vetëm bankën, por edhe gjyqtarin Mumini, i cili nuk pati autoritet që ta japë edhe teknikën e dytë. Si pasojë e kësaj, lojtarët pejanë, konkretisht Brandon Walters, sulmoi lojtarin Leurit Morina, 17-vjeç. Kjo erdhi në saje të neglizhencës së Komesarit të garave, Faton Kurshumliu, i cili me delegim katastrofik të gjyqtarëve e solli fatin deri te përleshja. Të lënduarit kanë hapur rast në polici dhe kanë marrë trajtim nga emergjenca. Kryesia e klubit tani do të marrë vendim për hapat e mëtejmë”, thuhet në komunikatën e Ponte Prizrenit.

Inicimin e procedurës për incidentin që ndodhi në palestrën “Sezai Surroi” e kanë konfirmuar edhe nga policia e rajonit të Prizrenit. Zëdhënësi i policisë për Prizrenin, Shaban Osmanollaj, ka thënë se rasti tashmë është iniciuar, të gjithë të përfshirët në përleshje janë intervistuar dhe po pritet vetëm raporti i mjekut për të parë nëse bëhet fjalë për lëndime trupore të lehta apo të rënda.

“Gjatë kohës së pushimit, lojtarët fillimisht u fjalosën dhe pastaj u përleshën në ndeshjen e basketbollit të luajtur në Prizren, e cila u ndërpre me vendimin e delegatit të takimit. Rasti tashmë është iniciuar dhe në po presim edhe raportet e mjekut për të shikuar nëse bëhet fjalë për lëndime të lehta apo të rënda trupore. Policia ka intervistuar të gjithë pjesëmarrësit tashmë dhe po mbledh të gjitha raportet për të vlerësuar se për çfarë lëndimesh bëhet fjalë për të proceduar tutje”, është shprehur Osmanollaj.

Në lidhje me këtë ngjarje ka reaguar edhe kryetari i Ponte Prizrenit, Zgjim Kryeziu. Kryeziu ka akuzuar kapitenin e Pejës dhe Përfaqësueses së Kosovës, Dardan Berishën për nxitje të situatës, e cila edhe solli ndërprerjen e ndeshjes. Ai shpreson në një vendim meritor të FBK-së derisa u ka kërkuar falje të gjithëve për skenat e pahijshme që ndodhën derisa ekipet po shkonin në zhveshtore.

“Në fund të çerekut të dytë basketbollisti i KB Pejës, Dardan Berisha, i cili ka përvojë të gjatë në lojën e basketbollit dhe i cili duhet të jetë shembull në fushë, ka bërë provokime dhe e ka fyer mbi baza personale trajnerin dhe po ashtu ka fyer bankën e ekipit tonë, e ka fyer edhe gjyqtarin e ndeshjes Xhelal Mumini. Më pas lojtarët e KB Pejës kanë filluar sulmet fizike ndaj lojtarëve dhe stafit teknik të klubit tonë. Të gjitha këto mund të shihen në videoxhirimet e kamerave prezente në sallë. Unë si kryetar i klubit KB Ponte Prizreni, për të gjitha ngjarjet që ndodhën në lojën mes KB Ponte Prizrenit dhe KB Pejës shpreh keqardhje maksimale dhe uroj që skena të tilla të mos përsëriten më. Ne si klub presim vendim meritor dhe të paanshëm nga Federata e Basketbollit të Kosovës për të gjitha ndodhitë e ndeshjes së sotme në mes të KB Ponte Prizreni dhe KB Peja. Gjithashtu, e ndiej obligim moral që të kërkoj falje ndaj të gjithë teleshikuesve dhe dashamirësve të basketbollit në Kosovë që u detyruan të shihnin ngjarje dhe skena të tilla të papranueshme për të gjithë ne”, ka shkruar Kryeziu në reagimin e tij.

Deri në momentin e ndërprerjes, më i dalluari te Ponte Prizreni ishte Kwame Vaughn me 17 pikë të shënuara derisa te Peja, Laron Dandy e Dardan Berisha kishin nga 13 pikë të shënuara për kokë. Ndërsa, te Peja kanë reaguar pas “deklaratës skandaloze” të Ponte Prizrenit, siç e kanë quajtur në lidhje me Dardan Berishën, të cilin e kanë quajtur lojtarin më të mirë të të gjitha kohërave në Kosovë. Peja ishte në epërsi prej një pike pas pjesës së parë.

“Sonte është sulmuar basketbolli i Kosovës, kapiteni i Kosovës dhe kapiteni i KB Peja. Dardan Berisha është ish-reprezentues i Polonisë në Kampionatin Evropian, ai i cili ngriti ‘Shqiponjën’ lart dhe na bëri të gjithëve krenarë, është ai i cili e la Poloninë dhe erdhi i pari për të reprezentuar Kosovën në arenën ndërkombëtare derisa shumë basketbollistë të tjerë vendorë ende kanë rezerva ta marrin këtë vendim. Është ai i cili e ngriti basketbollin e Kosovës në nivel tjetër me paraqitjet e tij te Peja e Prishtina, madje edhe në garat më të vlefshme të basketbollit Evropian. Ne jemi krenarë që kemi Dardanin në skuadër dhe do të jemi pas tij gjithherë. Kërkojmë nga qytetarët e Prizrenit të distancohen nga fyrjet ndaj tij dhe i bëjmë thirrje Federatës qe ta mbrojnë kapitenin e tyre me të gjitha masat e nevojshme”, ka shkruar Peja.

21:59

Ylli finalisti i parë, eliminon Rahovecin

Golden Eagle Ylli ka siguruar plasmanin në finalen e plejofit të Superligës së Kosovës në basketboll. Në ndeshjen e pestë të serisë gjysmëfinale të plejofit, të zhvilluar të mërkurën mbrëma në palestrën “Mizahir Isma” në Rahovec, Ylli ka triumfuar ndaj skuadrës së Rahovecit me shifrat 85:72.

Me këtë fitore, Ylli është kualifikuar në finale me rezultatin e përgjithëm 3:2 ndaj Rahovecit në serinë gjysmëfinale. Elyjah Clark e Erjon Kastrati ishin më të dalluarit te skuadra e Yllit në këtë fitore të rëndësishme. Clark ndeshjen e mbylli me 28 pikë derisa Kastrati shtoi edhe 24 sosh. Me lojë të mirë te Ylli, u veçuan edhe Demetris Morant e Valon Bunjaku që realizuan nga 12 pikë për kokë.

Në anën tjetër, te Rahoveci u veçuan Darrell Davis me 29 pikë të shënuara, i përcjellë nga Ed Daniel (21) e Alban Veseli (13) që ishin të vetmit me pikë dyshifrore. Për Yllin, kjo është hera e parë që kualifikohet në finale të plejofit derisa është në pritje të vendimit të Federatës së Basketbollit të Kosovës në lidhje me gjysmëfinalen tjetër ndërmjet Ponte Prizrenit dhe Pejës që u ndërpre pas përleshjes masive që ndodhi në fund të pjesës së parë.