Sport

Arsenali mposhtet në shtëpi nga Evertoni

Arsenali ka bërë edhe një tjetër hap të gabuar drejt zonës që dërgon në garat evropiane.

“Revolveristët” e drejtuar nga Mikel Arteta janë mposhtur të premten në mbrëmje nga Evertoni i Carlo Ancelottit me rezultatin minimal 1:0, në kuadër të xhiros së 33-të në Premier Leaguen e Anglisë. Ishte takimi i 200-të në elitën e futbollit anglez ndërmjet këtyre dy ekipeve. Për Arsenalin ishte humbja e parë në histori të Premier Leagues, që është zhvilluar në ditën e premte.

Autogoli i portierit të vendasve, Bernd Leno, në minutën e 76-të të ndeshjes, vulosi çështjen e fituesit në këtë ballafaqim. Leno gabimisht e shtyu topin në portën e vet pas harkimit të Richarlisonit.

Granit Xhaka ishte titullar dhe e kompletoi një tjetër ndeshje për Arsenalin.

Me pikët e plota, Evertoni i afrohet në tri pikë zonës së Ligës së Evropës. West Hami në vendin e pestë ka 55 pikë, ndërsa Evertoni ka 52 pikë në vendin e tetë.

Arsenali është një pozitë më poshtë me 46 pikë.