Sport

Ndeshja me ekipin më të dobët në botë, “për të kthyer vetëbesimin”

Ranglista e FIFA-s për përfaqësueset më të suksesshme vlerësohet prej matësve më të mirë të nivelit të ekipeve përfaqësuese të futbollit. Nëse për bazë merret vetëm ranglista, atëherë Kosova ndeshjen e ardhshme e luan ndaj përfaqësueset më të dobët në botë.

FFK-ja të premten ka njoftuar se Kosova më 1 qershor luan miqësore në “Fadil Vokrri” ndaj San Marinos. Më 4 qershor po në stadiumin e qytetit në Prishtinë, Kosova takohet me Kazakistanin.

Me një rrjedhë ndryshe, Kosova do të mund të luante me përfaqësuese dukshëm më të forta në qershor. Sikur të kualifikohej në Evropian, përkatësisht të fitonte ndeshjen e plejofit ndaj Maqedonisë së Veriut, Kosova në qershor do të përgatitej për “Euro 2020”. Tani drejtuesit e FFK-së do të ishin duke vendosur për detajet e fundit për një kamp përgatitur diku në Evropë, ndërsa kundërshtarët për ndeshje përgatitore patjetër do të ishin të nivelit më të lartë.

Por Kosova nuk është në Evropian dhe në qershor duhet të luajë me San Marinon e Kazakistanin.

San Marino është e fundit në ranglistën e FIFA-s, përkatësisht e 210-ta. San Marino llogaritet përfaqësuesja e dytë më e vogël e anëtarësuar në UEFA. Ndeshjen e parë e ka luajtur vetëm në vitin 1990. Nuk ka ende fitore në kualifikime për Evropian apo Botëror. Fitoren e vetme e ka ndaj Lihtenshtajnit, në një miqësore të vitit 2004. Një kohë San Marino llogaritej ekipi më i dobët sportiv në botë, falë bilancit prej vetëm një fitoreje dhe faktit se pranonte mesatarisht 4,2 gola për ndeshje.

Për San Marinon është sukses të mos humben ndeshjet. Kanë mbetur në histori barazimet me Turqinë, Letoninë, Lihtenshtajnin, Estoninë e Gjibraltarin. Dy prej barazimeve i ka arritur vonë, në tetor e nëntor të vitit të kaluar.

Së fundi San Marino humbi 2:0 nga Shqipëria, më 31 mars. Në kualifikimet për Botëror ka pësuar edhe nga Hungaria (3:0) dhe Anglia (5:0).

Lojtarët e San Marinos paraqiten në klubet vendase dhe disa në ato të Italisë.

Kosova është kundërshtarja e 47-të me radhë për San Marinon.

Kazakistani është nivel dukshëm më i lartë se San Marino. Kosova është e 120-ta në ranglistën e FIFA-s, ndërsa Kazakistani mban pozitën e 124-t. Kazakistani fillimisht ka qenë pjesë e Konfederatës së Azisë, por ndërkohë ka kaluar në UEFA në vitin 2002. Ende nuk është kualifikuar në Botëror apo Evropian. Së fundi ka luajtur 1:1 me Ukrainën, ndërsa ka pësuar 2:0 nga Franca, në kualifikimet për Botëror. Në nëntor humbi 2:1 nga Lituania e 3:1 nga Shqipëria. Në vjeshtën e kaluar ka barazimin pa gola me Shqipërinë e po ashtu me Malin e Zi, në miqësore.

Me pak përjashtime, lojtarët e Kazakistanit luajnë në kampionatin vendas.

Në FFK kanë thënë se kundërshtarët për ndeshjet e qershorit i ka zgjedhur UEFA. Kosova nuk është në momentin më të mirë të saj. Ka humbur 3:0 nga Suedia në Prishtinë më 28 mars dhe 3:1 në Sevilla nga Spanja, më 31 mars.

Dhe ndeshjet miqësore, që në letër duken të lehta, me San Marinon dhe Kazakistanin, pritet të shërbejnë për të kthyer vetëbesimin.

“Është rast i mirë. Kundërshtarët nuk janë të fortë, ndërsa neve na intereson gjendja e lojtarëve tanë. Sa më shumë ndeshje aq më i komponuar është ekipi”, ka thënë drejtori i përfaqësueses, Muharrem Sahiti, që ka mirëpritur miqësoret e qershorit. Ai beson se të gjithë lojtarët do të jenë në dispozicion të seleksionuesit Bernard Challandes, me gjithë faktin se është fundi i edicionit dhe një pjesë e lojtarëve mund të jenë në pushime.

Sipas Sahitit është shumë me rëndësi që ekipi do të qëndrojë më gjatë së bashku dhe që janë shmangur udhëtimet.

“Kampionatet përfundojnë, lojtarët janë të lirë dhe presim t’i kemi të gjithë. Besoj se do të jemi komplet. Nëse ka ndonjë emër të ri atëherë edhe më mirë. Janë ndeshje të rëndësishme për të kthyer vetëbesimin pas dy humbjeve rresht”, ka shtuar Sahiti.

Para ndeshjeve me Suedinë dhe Spanjën, Kosova fitoi bindshëm miqësoren me Lituaninë. Mbetet të shihet nëse miqësoret e qershorit dhe fitoret bindëse eventuale do të kenë ndonjë ndikim në vazhdim të ciklit kualifikues. Kosova më 2 shtator luan ndaj Gjeorgjisë në ndeshjen e ardhshme kualifikuese.