4 perditesime
17:42

Akil Gjakova, kampion i Evropës

Akil Gjakova është kampion i ri i Evropës në xhudo.

Medaljen e artë evropiane, Gjakova e siguroi të shtunën pasdite në Lisbonë.

Në finale, Akili e mposhti xhudistin nga Izraeli, Tohar Butbul. Ai realizoi hedhje të bukur në kohën shtesë për të fituar të artën evropiane në kategorinë deri 73 kg.

Për Akilin është suksesi më i madh në karrierë. Për Kosovën medalja e tretë në Evropianin e këtij viti.

Akil Gjakova ishte përballur me izraelitin Tohar Butbul më 11 maj të vitit 2019 në Grand Slamin e Bakus. Atë duel e kishte fituar Butbul. Në Evropian, Butbul ishte bartësi i parë, ndërsa Gjakova bartës i dytë.

15:28

Edhe një medalje e madhe për Kosovën, Akil Gjakova në finale të Evropianit

Kosova ka siguruar edhe një medalje në Evropianin e xhudos në Lisbonë. Akil Gjakova ka kaluar në finale të kategorisë deri 73 kilogramë. Akili e mposhti zviceranin Nils Stump me hedhje maestrale në fillim të kohës shtesë.

Për Akilin është suksesi më i madh në karrierë. Ai synon të artën. Përballë në finale do ta ketë izraelitin Tohar Butbul.

14:25

Akil Gjakova në gjysmëfinale të Evropianit

Akil Gjakova po shkon drejt suksesit më të madh në karrierë. Ai tashmë është në gjysmëfinale të Evropianit të xhudos. Në çerekfinale, Akil e mposhti xhudistin nga Rusia, Musa Mogushkov.

Akili fitoi me “Ippon”.

Mogushkov mori tri dënime që i siguruan fitore me Ippon, Gjakovës.

13:32

Akil Gjakova me tjetër “Ippon” mjeshtëror, mposht gjermanin Zingg

Akil Gjakova kaa vazhduar me hedhje mjeshtërore në Evropianin e xhudos në Lisbonë. Në kuadër të raundit të tretë në kategorinë deri 73 kilogramë, Gjakova e mposhti gjermanin Anthony Zingg. Pas afro tre minutave luftë, Gjakova realizoi aksion të bukur për të shënuar fitoren e dytë në Evropian.

Akili është në kërkim të medaljes së parë Evropiane.

12:07

Akil Gjakova kalon izraelitin Levin

Akil Gjakova nuk ka pasur telashe në luftën e parë në Evropianin e xhudos në Lisbonë të Portugalisë. Në kategorinë deri 73 kilogramë, Akili e mposhti izraelitin Ido Levin. Gjakova realizoi “Ippon”.

Tani përballë Akil Gjakovës do të jetë gjermani Anthony Zingg.