Sport

Një e artë e një e bronztë për ta konfirmuar Kosovën superfuqi të xhudos evropiane

Kriteri i pazakontë i gjyqtarëve dhe veprimet jo shumë sportive të xhudistes vendase e lanë Kosovën pa dy të arta në ditën e parë të Evropianit, që të premten filloi në Lisbonë të Portugalisë. Por përkundër një momenti jo të mirë, e premtja ishte ditë e veçantë dhe shumë e suksesshme për ekipin elitar të Kosovës në xhudo.

Xhudistet kosovare kanë fituar dy medalje për ta konfirmuar vendin si superfuqi evropiane të këtij sporti, që është në rritje të madhe.

Distria Krasniqi fitoi të artën në kategorinë deri 48 kilogramë, ndërsa Nora Gjakova, që ishte “pre” e vlerësimit shumë diskutabil të gjyqtarëve dhe e veprimeve jo shumë korrekte të xhudistes vendase, fitoi medaljen e bronztë.

Falë dy medaljeve, Kosova është prej vendeve më të suksesshme pas ditës së parë të Evropianit të vitit 2021. Kanë mbetur edhe tre xhudistë të tjerë për ta përfaqësuar vendin në dy ditët e ardhshme të Evropianit. Të shtunën garojnë Akil Gjakova e Laura Fazliu, ndërsa të dielën në tatami del Loriana Kuka. Të tjera medalje mund të vijnë për Kosovën, por Evropiani tashmë është “storje suksesi”.

Distria e Nora ishin bartëse të para në kategoritë e tyre, përkatësisht 48 e 57 kg. Distria nuk kishte ndonjë moment dobësie. Fitoi bindshëm tri luftëra për të vazhduar me formë impresive, që ka nisur rreth dy vjet më parë. Francesca Giorda e Italisë, Shira Rishony e Izraelit dhe Sabina Giliazova e Rusisë u dorëzuan pa shumë rezistencë përballë Distrisë. Në finale kaluan Distria dhe kampionia e dyfishtë botërore dhe e dyfishtë evropiane, Daria Bilodid. Ukrainasja Bilodid është ende emri kryesor në kategorinë deri 48 kilogramë, por me ecurinë aktuale të Distrisë, jo edhe shumë gjatë. Bilodid nuk u paraqit në tatami për finale, me arsyetim se ka pësuar një lëndim. Kështu Distria u shpall kampione evropiane.

Ajo më herët kishte një medalje të argjendtë në vitin 2018 dhe një të bronztë në vitin 2020. Këtë herë shkoi deri në fund. 25-vjeçarja fitoi 700 pikë të rëndësishme për ranglistën olimpike dhe konfirmoi se është pretenduese kryesore për medalje të artë botërore e olimpike.

Të fuqishëm e kishte nismën edhe Nora Gjakova në kategorinë deri 57 kilogramë. Mposhti spanjollen Carla Ubasart Mascaro e rusen Daria Mezhetskaia. Gjysmëfinalja me portugezen Telma Monteiro nisi mirë për Norën nga Peja. Xhudistja shumë e dekoruar, Monteiro, mori dy dënime të shpejta. Më pas nisi “drama”. E vendosur përballë Norës me formë të lartë, Monteiro nisi të kërkoj shpesh ndërhyrjen e mjekut për shkak të një “lëndimi”. Po ashtu nisi të garojë jo shumë pastër, ndërsa kësaj i shërbeu edhe kriteri i gjykimit. Nora mori dënimin e parë e më pas edhe të dytin. Lufta shkoi në kohën shtesë dhe zgjati goxha shumë. Në minutën e dhjetë, Telma Monteiro bëri gjuajtje dhe mposhti Norën.

Dëshpërimi te 28-vjeçarja vërehej lehtë, jo vetëm në gjysmëfinale, por edhe në luftën për vend të tretë. Ka pasur rrezik për një rënie të Norës në luftën përfundimtare, por cilësia megjithatë erdhi në shprehje. Ndaj gjeorgjianes Eteri Liparteliani, Nora bëri dy gjuajtje të bukura. Fillimisht për “Waza-ari” e më pas edhe për “Ippon”. Asaj i mjaftuan dy minuta për të siguruar të bronztën e katërt evropiane. Ka edhe një të artë e një të argjendtë. Norës do t’i mbetet peng lëshimi i rastit për të fituar të artën, por medalja mbetet medalje. Dhe sigurimi i podiumit në ngjarjen kryesore kontinentale është sukses i madh.

“Distria e Nora sot kanë performuar shkëlqyeshëm. Lufta e Norës me portugezen nuk i ka ngjarë sportit aspak. Nuk deshën të na lejojnë të marrim edhe një të artë. Nuk kam koment. Distria dhe unë e kemi pritur luftën me Bilodidin, por ajo nuk doli në finale me arsyetim se ka pësuar një lëndim. Por, unë nuk e vërejta që lëndimi i saj ishte aq i madh”, ka thënë për KOHËN, Driton Kuka, trajner i Kosovës në xhudo.

Në Evropian të premten garoi edhe Flaka Loxha. Ajo u ndal në luftën e parë në kategorinë deri 57 kilogramë. Kuka thotë se Flaka ka potencial. Pra, ka besim në rritjen e mëtejme të saj si xhudiste.

Xhudistet që garuan të premten, por edhe të tjerët, menjëherë i kthehen punës për Botëror e Olimpiadë. Ka kohë që shenjat janë të mira për një Botëror e Olimpiadë të suksesshme. Medaljet e së premtes shkojnë në këtë drejtim.

“Janë sinjal i mirë”, thotë Kuka, kreatori i historisë më të suksesshme sportive të Kosovës.