Sport

Pas eliminimit të Bayernit, PSG-ja kërkon trofeun e Championsit

Marrëdhënia e Paris Saint-Germainit me Ligën e Kampionëve gjatë dekadës së fundit ka qenë e mbushur me zhgënjim dhe e mbushur me humbje spektakolare, por një fitore e përgjithshme ndaj kampionit në fuqi, Bayern Munichut, është më e rëndësishmja e epokës së pronarëve të Katarit që po synojnë më në fund ta rrëmbejnë këtë trofe. Kundër ekipit që trajneri Mauricio Pochettino këmbëngulte se ishte më i miri në Evropë, PSG-ja u hakmor për humbjen që ua shkaktoi Bayerni në finalen e sezonit të shkuar në Lisbonë (1:0). Kalimi i PSG-së në gjysmëfinale nuk u arrit pa vuajtje.

Në fakt, PSG-ja u kualifikua falë fitores në ndeshjen e parë të luajtur në Munich, në të cilën fituan me rezultatin 3:2. Në ndeshjen e kthimit, në Paris, që u zhvillua të martën mbrëma, Bayerni triumfoi 1:0, por që nuk i mjaftoi për të avancuar tutje. Mirëpo, ndërsa në vitet e mëparshme PSG-ja mund të ishte eliminuar për shkak të presionit, këtë herë ekipi francez u mbajt për fitoren e arritur në ndeshjen e parë dhe tri golat e shënuar në udhëtim.

“Synimi ishte të kualifikohemi në gjysmëfinale dhe ia dolëm mbanë. Tani, duhet të jemi të vëmendshëm sepse jemi vetëm dy ndeshje larg finales. Kur kam ardhur në krye të ekipit, kam thënë se duam të shkojmë të paktën deri në finale për të përsëritur suksesin e sezonit të fundit”, ka thënë trajneri i PSG-së, Mauricio Pochettino.

Pas marrjes në zotërim të kompanisë “Qatar Sports Investments” në vitin 2011, PSG-ja kaloi një kohë të gjatë duke luftuar për të bërë një ndikim në fazën e nokautit të Ligës së Kampionëve. Ekipi u dorëzua përkundur fitoreve në ndeshjet e para që i kishte arritur në udhëtim, ndaj Chelseat në çerekfinalet e vitit 2014 dhe Manchester Unitedit në 1/8 e finales në vitin 2019. Megjithatë, poshtërimin më të madh PSG-ja e përjetoi kundër Barcelonës në vitin 2017. Edhe pse e kishte fituar ndeshjen e parë të 1/8 së finales me rezultatin 4:0, PSG-ja u eliminua pas disfatës në ndeshjen e kthimit me shifrat 6:1. Megjithatë, këtë herë PSG-ja u mbajt kundër Bayernit pavarësisht mungesës së kapitenit Marquinhos dhe mesfushorit Marco Verratti. Gjithashtu, në pjesën e parë, sulmuesi Neymar lëshoi një mori rastesh për të shënuar gol.

“Ky klub është rritur çdo ditë, nga viti në vit”, tha Presnel Kimpembe, kapiteni i Parisit kundër Bayernit.

Suksesi i PSG-së kundër kampionit në fuqi, Bayernit, vjen pasi ata eliminuan Barcelonën në 1/8 e finales, falë fitores 4:1 në ndeshjen e parë të luajtur në “Camp Nou”. Ky ishte gjithashtu një hakmarrje ndaj Barcelonës, pasi spanjollët e kishin mposhtur PSG-në tri herë në raundet e nokautit në dekadën e mëparshme. Përkundër që eliminoi Barcelonën dhe Bayernin, trajneri i ekipit francez, Pochettino, insiston se skuadra e tij duhet të qëndrojë me këmbë në tokë. Ai thotë se ende është herët për t’i shprehur synimet për trofeun e këtij edicioni.

“Ne e kemi merituar t’i fitojmë këto dy ndeshje dhe të kualifikohemi në gjysmëfinale. Por nuk mendoj se kjo na bënë favoritë tani”, insistoi Pochettino.

Vitin e kaluar, PSG-ja vrapimin deri në finale arriti me fitoret ndaj Dortmundit, Atalantas dhe Leipzigut, ekipe që aspak nuk shiheshin si favorite për të triumfuar. Dy fitoret e fundit erdhën me vetëm nga një ndeshje pasi “Final Eight” i Championsit u mbajt në Lisbonë për shkak të përhapjes së koronavirusit.

Vrapimi evropian i PSG-së këtë sezon vjen ashtu si hegjemonia e tyre në kampionatin vendor që tani është nën kërcënim. Pas shtatë titujve në Ligue 1 brenda tetë vjetësh, PSG-ja aktualisht është tri pikë prapa Lillet, që është lider kur kanë mbetur edhe gjashtë xhiro deri në fund të këtij sezoni.

Sidoqoftë, Liga e Kampionëve është me të vërtetë gjithçka që ka rëndësi, dhe është një sukses në garën elitare të klubeve të Evropës që mund ta bindë dyshen e sulmit, Kylian Mbappe dhe Neymar, për t’i rinovuar kontratat që iu skadojnë vitin e ardhshëm.

Dy transferimet më të shtrenjta në historinë e futbollit kur arritën në Paris në vitin 2017, Neymari dhe Mbappe, do të mbeten pa kontrata në fund të sezonit të ardhshëm. Neymari mbetet ëndrra e Barcelonës për ta kthyer në “Camp Nou”, derisa Mbappe prej kohësh ka qenë i lidhur me një transferim të mundshëm te Real Madridi.

“Kyliani dhe Neymari nuk kanë asnjë justifikim apo dëshirë për t’u larguar, sepse ne kemi gjithçka në dispozicion këtu për të fituar Ligën e Kampionëve”, tha presidenti i PSG-së, Nasser al-Khelaifi. “Ne jemi një ekip i lartë tani, me gjithë respekt për ekipet e tjera atje”.