Sport

Edhe Leedsi pas Agueros

Skuadra e Leeds Unitedit është futur në garë për shërbimet e sulmuesit argjentinas Sergio Aguero, kanë raportuar të premten mediumet angleze.

Aguero në fund të këtij sezoni do të largohet nga Manchester City si lojtar i lirë dhe te Leedsi po shpresojnë ta bindin 33-vjeçarin për t’iu bashkuar. Në fakt, trajneri argjentinas i Leedsit, Marcelo Bielsa ka kërkuar transferimin e Agueros që është njëri prej sulmuesve më të vlerësuar në Premier League.

Aguero po largohet nga City pas një dekade dhe ka shumë skuadra që kanë shprehur interesim për shërbimet e tij.

Krahas Leedsit, interesim për Agueron kanë shfaqur edhe Tottenhami, Chelsea, Barcelona, Paris Saint-Germaini e Juventusi. Aguero këtë sezon ka shënuar tri gola në 15 ndeshje me fanellën e Cityt.