5 perditesime
22:56

PSG-ja mposht Bayernin me ndihmën e Mbappes

Përfundon ndeshja në “Allianz Arena” me fitoren e ngushtë 3:2 të PSG-s ndaj Bayern Munichut në ndeshjen e parë çerekfinale të Ligës së Kampionëve.

Kylian Mbappe shënoi dy herë derisa një gol e realizoi Marquinhos për fitoren e skuadrës franceze.

Ndërsa, për Bayernin realizuan Eric Maxim Chuopo-Moting e Thomas Mueller.

Ndeshja e kthimit do të luhet pas një jave në Paris.

 

22:37

Mbappe rikthen epërsinë e PSG-së

Sulmuesi Kylian Mbappe rikthen epërsinë e PSG-së ndaj Bayernit, 3:2.

Mbappe e shënoi golin e tretë për parisienët në minutën e 68-të, pasi mori top nga Angel Di Maria.

Për Mbappen, ky ishte goli i dytë ndaj Bayernit kurse i teti këtë edicion në Ligën e Kampionëve në po aq ndeshje të luajtura.

22:22

Bayerni barazon rezultatin ndaj PSG-së

Bayerni ka barazuar rezultatin ndaj PSG-së.

Thomas Mueller shënoi me kokë në minutën e 61-të pas harkimit të Joshua Kimmichut nga goditja e lirë.

 

21:49

Mbyllet pjesa e parë në Munich

Është mbyllur pjesa e parë në Munich, me epërsinë minimale të PSG-së 2:1.

Pas epërsisë prej dy golave të francezëve, Bayerni ka ngushtuar rezultatin me golin e realizuar nga sulmuesi Eric Maxim Choupo-Moting që shënoi me kokë në minutën e 37-të pas harkimit të Benjamin Pavardit.

 

21:37

PSG-ja dyfishon epërsinë ndaj Bayernit

PSG-ja, ka dyfishuar epërsinë ndaj Bayern Munichut. Golin e dytë për francezët, e ka shënuar qendërmbrojtësi Marquinhos në minutën e 28-të.

Edhe te goli i dytë asistoi sulmuesi brazilian Neymar, i cili gjeti Marquinhosin që mposhti portierin Manuel Neuer.

Menjëherë pas shënimit të golit, Marquinhos u zëvendësua nga Ander Herrera për shkak të lëndimit.

21:12

PSG-ja në avantazh ndaj kampionit

Paris Saint-Germaini ka kaluar në avantazh ndaj kampionit në fuqi të Ligës së Kampionëve, Bayern Munichut.

Parisienët shënuan që në minutën e tretë të ndeshjes nëpërmjet sulmuesit të rrezikshëm francez, Kylian Mbappe.

Mbappe u asistua nga braziliani Neymar. Dueli tjetër Porto – Chelsea, ende është 0:0.