Trajneri i Llapit, Tahir Batatina, është ndarë i kënaqur me fitoren që e ka arritur ekipi i tij kundër Prishtinës në kuadër të Kupës së Kosovës.
Llapi të mërkurën e mposhti Prishtinën në stadiumin “Fadil Vokrri” me rezultatin 3:2, në ndeshjen e parë gjysmëfinale të Kupës së Kosovës.
Pas këtij triumfi, trajneri i Llapit, Batatina ka paralajmëruar ekipin e tij që të tregohet i kujdesshëm në ndeshjen e kthimit që do të zhvillohet pas dy javësh në Podujevë.
“Mendoj se realizimi i golave të hershëm ishin të qetësisë. Megjithatë, është e papranueshme të pranojmë dy gola të lehtë dhe duhet të jemi të kujdesshëm në ndeshjen e radhës. I kam kursyer lojtarët për këtë ndeshje dhe ishim më të freskët se Prishtina në këtë ndeshje. Prishtina pati mundësi ta barazonte rezultatin dhe të na vështirësonte punën në ndeshjen e kthimit”, ka thënë Batatina. “Por e rëndësishme është që e arritëm qëllimin, e fituam ndeshjen dhe duhet të jemi të vëmendshëm për ndeshjen e kthimit. Kupa është objektivi i vetëm i Llapit, pasi kemi dalë nga gara për titullin e kampionit. Këtë edicion synimi është ta arrijmë synimin dhe të dalim më në fund në Evropë”.
© KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.