Shpëtim Murtezi është deleguar për ta drejtuar ndeshjen derbi mes Ballkanit dhe Prishtinës. Kjo ndeshje luhet të dielën nga ora 15:00 në Suharekë, në kuadër të xhiros së 27-të të Superligës së Kosovës në futboll.
Por arbitri kryesor, Murtezi, nuk është i mirëpritur në Suharekë. Për më tepër, klubi Ballkani nuk ka garantuar sigurinë e këtij anëtari të Federatës së Futbollit të Kosovës.
Ballkani përmes një komunikate zyrtare ka njoftuar se nuk e mirëpret Murtezin në Suharekë për ndeshjen ndaj Prishtinës. Ballkani e Prishtina janë në garë për titull të kampionit dhe ndeshja e së dielës vlerësohet me shumë peshë.
Ballkani vlerëson se Shpëtim Murtezi e ka dëmtuar disa herë deri më tani dhe për këtë ka bërë kërkesë që ai mos të delegohet në ndeshjet e kësaj skuadre.
“Ballkani me të drejtë dhe për shkaqe objektive ka kërkuar nga organi kompetent, FFK-ja, që mos t’i delegojë disa gjyqtarë kur zhvillojmë ndeshje, pasi që në disa raste na kanë dëmtuar. Njëri nga ta është Shpëtim Murtezi, i cili tashmë dihet që me ngathtësinë e tij, mungesën e kompetencës e njohurive, ose edhe shkaqeve tjera, na ka dëmtuar në ndeshjen e 1\8 së finales së Kupës ndaj Llapit. Pas dy xhirove na ka dëmtuar me të njëjtin kundërshtar e në të njëjtin lokacion. I lartpërmenduri nuk është i mirëpritur në Suharekë, pasi që me veprimet e tij ka irrituar tifozët dhe dashamirët e Ballkanit. Andaj ne si klub nuk mund ta garantojmë sigurinë e tij, pasi që me veprimin apo mosveprimin e tij e ka sjellë punën që mos të jetë i dëshiruar në Suharekë”, thuhet në komunikatën e Ballkanit, të publikuar në “facebook”.
Ballkani ka njoftuar se shqetësimet i ka adresuar më 17 mars e 1 prill, por se ato nuk janë marrë parasysh.
“Është për t’u çuditur si është e mundur që në kryendeshjen e javës të mos përfshihen gjyqtarët si Genc Nuza ose Dardan Çaka. Kryesia e klubit është duke shqyrtuar mundësinë që të bojkotoj këtë gjyqtar duke mos u paraqitur fare në lojë. Tifozëve dhe dashamirëve u kërkojmë falje për këto shqetësime, por vërtetë thellësisht jemi të shqetësuar me këto veprime të fundit, kur gara hyn në finishin e saj”, vazhdon komunikata e Ballkanit.