Sport

Evropiani U21: Portugalia mposhti Zvicrën

Zvicra U21 është mposhtur nga Portugalia. Portugezët të mërkurën mbrëma fituan me rezultatin 3:0 kundër zviceranëve, të cilët me këtë humbje janë përshëndetur nga gara.

Portugalia U21 nga ana tjetër u kualifikua tutje si fituese e Grupit D me nëntë pikë. Në takimin e tretë të Evropianit U21 në Hungari dhe Slloveni, portugezët kaluan në avantazh që në minutën e tretë. Vitinha asistoi për Diogo Lucas Queiros. Golin e dytë e shënoi sulmuesi i Barcelonës, Trincao, pas një ore lojë. Pesë minuta më vonë, rezultatin e vulosi Francisco Conceincao.

Skuadra e Zvicrës U21 mbeti me një futbollist më pak në fushë në minutën e 72-të, pasi me kartonin e dytë të verdhë u ndëshkua Miro Muheim.

Kastriot Imeri dhe Toni Domgjoni ishin titullarë te Zvicra, ndërsa në pjesën e dytë u inkuadruan edhe Andi Zeqiri dhe Bastien Toma.

Në çerekfinale të kësaj grupmoshe janë kualifikuar Danimarka, Franca, Portugalia, Kroacia, Gjermania, Holanda, Italia dhe Spanja që është kampione në fuqi.

Holanda-Franca, Danimarka-Gjermania, Spanja-Kroacia dhe Portugalia-Italia janë çiftet e çerekfinaleve. Faza nokaut do të luhet prej 31 majit deri më 6 qershor.