Sport

Rama: Suedinë e respektuam shumë, Kosova duhet të mësohet të ndalet në mbrojtje

Kosova i ka respektuar më shumë se që duhet Përfaqësuesen e Suedisë dhe lojtarët e saj. Kështu të paktën ka vlerësuar Milaim Rama, futbollisti i parë shqiptar që ka luajtur për Përfaqësuesen e Zvicrës. Rama është po ashtu i pari shqiptar që ka luajtur në Evropian, ndërsa aktualisht është i angazhuar si trajner në shtetin helvetik. Ai ka një shkollë të futbollit, punon edhe si menaxher, ndërsa së fundi është emëruar trajner i juniorëve të ekipit Kosova nga Zuerichu.

Rama, që ka luajtur shtatë ndeshje për Zvicrën në vitet 2003 e 2004, ka kontestuar disa zgjedhje të selektorit Bernard Challandes, ndërsa ka thënë se mbrojtësi i qendrës, Betim Fazliji është dashur të paraqitej ndaj Suedisë.

Kosova të dielën mbrëma pësoi 3:0 në Prishtinë nga Suedia, në ndeshjen e parë të kualifikimeve për Botërorin 2022. Kosova ka pasur telashe të mëdha në mbrojtje, ndërsa është kritikuar shumë edhe portieri Samir Ujkani. Në mungesë të Amir Rrahmanit e Ibrahim Dresheviqit, në qendër të mbrojtjes janë paraqitur Mërgim Vojvoda e Fidan Aliti. Vojvoda luan si mbrojtës i djathtë, por selektori Challandes e ka vendosur në qendër. Në dy golat e parë mbrojtja u vlerësua se ka dështuar.

“Pas fitores bindëse ndaj Lituanisë në miqësore, ndeshjen me Suedinë e morëm pak me lehtësi. Po ashtu, marrë për bazë që Suedia ka yje në përbërje, ndoshta e kemi respektuar më shumë se që duhet. Ia kemi mundësuar Suedisë që të bëjë trysni në minutat e para. Mungesat që kishim natyrisht që kanë ndikuar, por një përfaqësuese duhet të ketë opsione për t’i zëvendësuar ata që mungojnë”, ka thënë Milaim Rama për KOHËN të hënën.

Sipas tij, Challandes është munduar të bëjë më të mirën. Por Rama thotë se ndoshta është dashur të aktivizojë lojtarë të tjerë.

“Ishte rast i mirë që të aktivizohej në mbrojtje Betim Fazliji, një lojtar që në Zvicër i ka mbi 50 ndeshje dhe vlerësohet shumë lart. Po ashtu, sidomos në miqësoren ndaj Lituanisë është dashur ta fitojë rastin Betim Halimi, që po aktivizohet në Ukrainë. Nuk bëhet fjalë për kontestim të meritave të Samir Ujkanit, por është dashur ndoshta të ketë hapësirë për Halimin. Mendoj se trajneri me vendimet e tij ka bërë disa lëshime. Dhe gjithë këto gjëra na kushtuan me humbje të thellë”, ka theksuar Rama.

Ai është paraqitur në një ndeshje në Evropianin 2004. Tashmë te Zvicra luajnë shumë futbollistë shqiptarë, por Rama ka mbetur në histori si i pari që ka hapur dyert e Përfaqësueses helvetike. Zvicra jep shumë lojtarë edhe për Kosovën, ndërsa nga Zvicra është edhe selektori Challandes. Lidhja e futbollit mes dy vendeve, ndonëse herë pas here me përplasje, është shumë e fuqishme.

Rama vlerëson se humbja ndaj Suedisë ka zbehur moralin e lojtarëve, por edhe të gjithë të tjerëve lidhur me Përfaqësuesen. Ai mendon se duhet të ndryshojë edhe mënyra e lojës së Kosovës. Tani Kosovën e pret ndeshja e vështirë me Suedinë, të mërkurën.

“Jemi mësuar të dominojmë në fushën e blertë. Ideja e Challandesit është që të jemi dominues dhe të udhëheqim lojën. Por ndoshta është mirë të kemi edhe planin B. Jo gjithnjë mendoj se duhet të bëjmë lojë ofansive. Futbolli e ka edhe anën tjetër, atë defansive. Dhe jo gjithnjë dominimi në posedim sjell fitoren. Ka shumë raste të tilla. Kështu që ndonjëherë duhet të provojmë të luajmë të fokusuar në mbrojtje dhe të presim rastin”, ka theksuar Milaim Rama.