Sport

89-shi synon ta ndalë Ballkanin në kampionat pas eliminimit nga Kupa

 

 

Te Trepça ’89, insistojnë se tashmë kanë harruar eliminimin në çerekfinale të Kupës së Kosovës nga Llapi pasi menjëherë janë fokusuar në kampionat, saktësisht në ndeshjen e këtij vikendi. Trepça ’89 që po lufton për mbijetesë në Superligë, do të përballet me Ballkanin, ekip që po synon titullin e kampionit. Kjo ndeshje do të zhvillohet të dielën prej orës 13:30 në stadiumin “Riza Lushta” në Mitrovicë dhe është ndër më interesantet të xhiros së 26 të Superligës së Kosovës në futboll. Skuadra nga Mitrovica, aktualisht zë vendin e pestë në tabelë me 32 pikë, 20 më pak se Ballkani që është i dyti dhe ka dy pikë më pak se liderja, Drita. Në fakt, Trepça ’89 po synon rezultat pozitiv ndaj Ballkanit për të harruar eliminimin nga Kupa dhe humbjen që e pësoi xhiron e shkuar në kampionat. Si ndaj Llapit në kupë, ashtu edhe ndaj Gjilanit në Superligë, 89-shi pësoi humbje me rezultatin identik – 2:1. Kapiteni i ekipit, Muharrem Jashari ka thënë se Trepça ’89 ndaj Ballkanit do të futet vetëm për fitore, ndonëse ka pranuar se nuk do të jetë aspak lehtë.