Sport

Aliti e Dresheviqi nuk u frikësohen dueleve me Ibrahimoviqin

 

Mbrojtësit e Përfaqësueses së Kosovës, Fidan Aliti e Ibrahim Dresheviq, janë të gatshëm të përballen me Suedinë, e sidomos me sulmuesin Zlatan Ibrahimoviq fundjavën e ardhshme në kuadër të eliminatoreve për botërorin “Katari 2022”.

Kosova më 28 mars e nis ciklin eliminator për Botërorin e vitit të ardhshëm, me ndeshjen që do ta luajë në Prishtinë kundër Suedisë, në kuadër të Grupit B. E sulmit të Suedisë në këtë ndeshje do t’i prijë ylli i Milanit, Zlatan Ibrahimoviq. Ky i fundit është kthyer te Suedia pas gati pesë vjetësh dhe te Kosova janë të gatshëm të përballen me Ibrahimoviqin, sidomos mbrojtësit Fidan Aliti e Ibrahim Dresheviq. Aliti e Dresheviq janë dy prej futbollistëve në listën e Kosovës për ndeshjet e këtij muaji që kanë bërë karrierë në Suedi, përfshirë edhe sulmuesin e krahut, Arbër Zeneli. Kështu që, si Aliti ashtu edhe Dresheviqi me padurim presin duelin me Suedinë, e sidomos me Ibrahimoviqin, golashënuesin më të mirë në histori të suedezëve me 62 gola të realizuar në 116 paraqitje.