“Kurrë nuk do të bëhem trajner i Gjilanit”, Munishi u kërkon falje “Skifterave”
Trajneri i ri i Gjilanit, Ismet Munishi, u ka kërkuar falje tifozëve të këtij ekipi, “Skifterave”, për deklaratat e tij që nuk do ta drejtonte kurrë klubin e kuq.
“Tifozët “Intelektualët” janë shumë të mirë, më kanë përkrahur dhe kam shumë respekt për këtë grup të tifozëve dhe po ju tregoj “Intelektualëve” se kurrë nuk do të bëhem trajner i Gjilanit”, kishte thënë Munishi në televizionin publik të Kosovës.
Por gjatë ditës së sotme, ish-trajneri i Ballkanit zuri vendin e Bylbyl Sokolit te klubi i Gjilanit, dhe u kryqëzua nga rivalët për deklaratat e tij.
Përmes një postimi në Facebook, Munishi u kërkoi falje tifozëve të Gjilanit për ato deklarata.
“Urime ‘Skiftera’ dhe më vjen keq për deklaratat e mija të kamotshme sa kemi qenë rival, shpresoj të më kuptoni”, shkroi ndër të tjera Munishi.