Cristiano Ronaldo u transferua te Juventusi për një qëllim - për ta fituar Ligën e Kampionëve. Tani të gjithë sytë janë te portugezi për t’u siguruar që zemërimi i sezonit të kaluar të mos përsëritet.
Pavarësisht se fitoi titullin e kampionit, të nëntin rresht në Serie A për Juventusin, trajneri Maurizio Sarri u shkarkua për shkak të një dështimi tjetër në Evropë të ekipit italian.
Skuadra më e suksesshme brenda Italisë – me 36 tituj të fituar në Serie A, krahasuar me Milanin dhe Interin që kanë nga 18 – nuk ka pasur paraqitje të mira në Evropë. Milani ka shtatë trofe, Interi tre, kurse Juventusi vetëm dy të garës evropiane.
Klubi torinez është i dëshpëruar për të fituar një trofe në Ligën e Kampionëve, i cili do të ishte i pari pas një pritjeje prej një çerek shekulli, veçanërisht duke pasur parasysh që është ekipi me më së shumti finale të humbura në kupat e Evropës, gjithsej shtatë. Presioni ishte i madh për trajnerin Sarri sezonin e kaluar, pasi Juventusi u eliminua çuditërisht nga skuadra e Lyonit në 1/8 e finales.
Trajneri aktual i Juventusit, Andrea Pirlo, është në një situatë të ngjashme. Sezonin e kaluar Juventusi humbi ndeshjen e parë me rezultatin 1:0 në udhëtim, para se të eliminohej përfundimisht, me gjithë fitoren në duelin e kthimit në shtëpi, 2:1. Ai rezultat e nxori Juventusin nga loja në Ligën e Kampionëve për shkak të rregullit të golit si mysafir.
Këtë vit Juventusi përsëri humbi me një gol dallim në ndeshjen e parë të 1/8 së finales kundër Portos më 17 shkurt. Me ekipin e Pirlos në vendin e tretë në renditjen e Serie A, presioni mbi trajnerin e ri është i madh.
Në Portugali, Juventusi pësoi me shifrat 2:1. Pirlo ka të ngjarë të durohet më gjatë sesa Sarri, duke pasur parasysh statusin e tij të ngritur në klub që e ka krijuar si lojtar. Por një tjetër eliminim i hershëm në Champions League nuk do të ishte aspak i mirë. Pirlo e di saktësisht se kujt duhet t'i besojë për të siguruar që kjo të mos ndodhë. Pavarësisht viteve të tij, 36-vjeçari Ronaldo është atuja kryesore e Juventusit për ndeshjen e kthimit ndaj Portos që zhvillohet të martën mbrëma (21:00) në Torino. Ronaldo aktualisht është golashënuesi më i mirë në Serie A me 20 gola të shënuar. Ai gjithashtu ka shënuar dhjetë gola në po aq ndeshje në shtëpi për Juven në Ligën e Kampionëve. Që kur u bashkua me klubin në prag të sezonit 2018/19, vetëm Lionel Messi (14) ka shënuar më shumë gola në ndeshjet në shtëpi në këtë garë.
Vlera e sulmuesit ishte e qartë, pasi Pirlo i dha Ronaldos një pushim gjatë fundjavës - diçka që portugezi normalisht nuk e mirëpret - me trajnerin e Juventusit që zbuloi se ai duhej të shqyrtonte vendimin para ndeshjes me Lazion. Dhe e la Ronaldon në stol pas marrëveshjes me të.
“Ai kishte tetë apo nëntë ndeshje rresht dhe ne e bëmë një marrëveshje që ai të pushonte kundër Lazios. Pra, gjithçka ishte e planifikuar. Cristiano është një vlerë e shtuar për ekipin tonë”, pranoi Pirlo.
Ronaldo ka nxjerrë skuadrat e tij të ndryshme nga vrimat në shumë raste në të kaluarën dhe do të kërkojë ta bëjë këtë përsëri të martën mbrëma për të ndihmuar Juventusin, por edhe veten pasi është në kërkim të triumfit në Ligën e Kampionëve me ekipin e tij të tretë. Ronaldo e ka fituar më herët këtë garë me Manchester Unitedin dhe Real Madridin.
“Cristiano është maksimalisht i motivuar për këtë ndeshje dhe është i mbushur me energji për të na dërguar përpara. Të gjithë po shikojmë nga ai”, pranoi mbrojtësi Leonardo Bonucci.
Edhe nëse Juventusi dështon ta rikthejë rezultatin kundër Portos me Ronaldon në krye të sulmit, trajneri Pirlo nuk beson se posti i tij është i rrezikuar. Pirlo ka insistuar se do të vazhdojë punën e tij te Juventusi, përkundër eliminimit, gjë që shpreson se nuk do të ndodhë.
“Nuk mendoj se loja ndaj Portos do të ndikojë në gjykimin mbi punën time. Unë vazhdoj të punoj pasi e di projektin tim që e kam me klubin. Ndeshja kundër Portos është e rëndësishme në rrugëtimin tonë në Champions. Si për ne ashtu edhe për Porton do të jetë sikur një finale”, ka thënë Pirlo, që ka konfirmuar rikthimin e qendërmbrojtësve Giorgio Chiellini e Matthijs De Ligt pas lëndimit.
Te Porto po shpresojnë të arrijnë ta mbajnë rezultatin e ndeshjes së parë, ndonëse pranojnë se është vështirë. Në 13 ndeshjet e fundit të fazës së nokautit të Championsit, Porto ka humbur në udhëtim por trajneri Sergio Conceicao këtë herë është optimist.
“Edhe në këtë ndeshje ne do të kemi qasjen e njëjtë sikur të asaj të zhvilluar në Porto. Ne duam një rezultat pozitiv. Shpresoj në këtë, ndonëse mund të kemi mungesa të rëndësishme pasi disa lojtarë mbesin në dyshim. Ne e njohim Juventusin dhe jemi të vetëdijshëm për kapacitetin që ka”, tha Conceicao. “Juventus investoi shumë para për të fituar këtë garë. Ne duam të luajmë një lojë që pasqyron identitetin tonë. Unë pashë ndeshjen e fundit të Juves dhe isha dëshmitar i një ekipi shumë konkurrues me shumë lojtarë të fortë”.
Të martën mbrëma do të luhet edhe ndeshja tjetër e kthimit të 1/8 së finales të Championsit. Borussia Dortmundi me mungesa të theksuara, e pret Sevillan, ekip të cilin e mposhti në Spanjë me rezultatin e ngushtë, 3:2.
Giovanni Reyna, Raphael Guerreiro e Jadon Sancho janë në dyshim te Dortmundi për t’u paraqitur kundër Sevillas derisa sulmuesi kryesor Erling Haaland pritet të jetë i gatshëm për lojë, ka pranuar trajneri Edin Terziq.
Dortmundi në këtë ndeshje futet pas humbjes që e pësoi nga Bayern Munichu (4:2) në Bundesligë derisa Sevilla u befasua në La Liga nga Elche (2:1) pas eliminimit në gjysmëfinale të Kupës së Spanjës nga Barcelona.
“Nuk do të jetë aspak lehtë, sepse për të avancuar tutje duhet të bëjmë paraqitje të mirë edhe në ndeshjen e kthimit. Sevilla është një kundërshtare e papërshtatshme dhe do të kërkojë të na befasojë në shtëpi. Kjo na obligon që të jemi më të mirë se në ndeshjen e parë dhe të mos lejojmë të pësojmë gol”, u shpreh Terziq.
E martë (21:00)
Juventus – Porto (1:2)
Borussia D. – Sevilla (3:2)
* Në kllapa janë rezultatet e ndeshjeve të para