Sport

Nooralotta Neziri për një të qindtën e sekondës mbeti pa medalje në Evropian

Nooralotta Neziri për një të qindtën e sekondës mbeti pa medalje në Evropian
 

Atletja me prejardhje shqiptare, Nooralotta Neziri, ishte shumë pranë që të fitojë medalje në Kampionatin Evropian në palestër që të dielën përfundoi në Torun të Polonisë. Vrapuesja e Finlandës garoi në 60 metra me pengesa, të dielën, në njërën prej garave të fundit të Evropianit të 36-të në palestër.

Ajo përfundoi e katërta, ndërsa medalja i “iku” për shumë pak, përkatësisht për një të qindtën e sekondës. Neziri kishte rezultat prej 7.93 sekondash. Tiffany Porter e Britanisë së Madhe fitoi medaljen e bronztë me kohë prej 7.92 sekondash. Nadine Visser e Holandës fitoi medaljen e artë evropiane me kohë prej 7.77 sekondash, ndërsa të argjendtën e fitoi Cynthia Sember po ashtu e Britanisë së Madhe, me kohë prej 7.89 sekondash.