Sport

Ndonëse janë në pozitën e parafundit, te Prishtina janë të bindur në titull të kampionit

 

Prishtinë, 5 mars – Edhe pse ende nuk e ka siguruar mbijetesën, Sigal Prishtina po synon titullin e kampionit në Superligën e Kosovës në basketboll. Kështu ka insistuar kapiteni i ekipit, Edmond Azemi, të premten.

Prishtina në këtë sezon nuk ka treguar stabilitet dhe për herë të parë në histori të klubit gjendet në pozitën e parafundit në tabelë, në fazën finale të kampionatit të rregullt.

Vetëm 28 pikë të tubuara pas 21 ndeshjeve të zhvilluara i mjaftojnë Prishtinës për vendin e shtatë.

Deri më tani, skuadra e kaltër ka regjistruar shtatë fitore karshi 14 humbjeve.

Azemi ka thënë se në momentin që Sigal Prishtina e konfirmon pjesëmarrjen në garat e plejofit, atëherë përvoja që ka klubi në ndeshjet e rëndësishme do të jetë garanci për triumf edhe në kampionat. Për ta arritur synimin që ka, futjen në plejof, Prishtina i ka edhe shtatë ndeshje deri në fund të pjesës së rregullt, të cilat Azemi i vlerëson si finale. Të parën do ta luajë këtë të diel në shtëpi kundër skuadrës së Pejës dhe Azemi insiston se është ndeshje shumë e rëndësishme pasi pak a shumë mund të përcaktohet fati i Prishtinës për këtë sezon.

“Besoj se kemi një ekip mirë të komponuar dhe nuk kemi aspak probleme. Situata në tabelë është kjo që është, por ne nuk jemi dorëzuar assesi. Po punojmë dhe jemi të gatshëm të luftojmë deri në fund. Duhet të fitojmë patjetër të dielën kundër Pejës, që ka një ekip të mirë, sepse me triumf bëjmë një hap para drejt synimit, kurse me humbje rrezikohemi. Pra, shumë gjëra varen prej kësaj ndeshjeje”, ka pranuar Azemi.

Në krye të Pejës do të jetë ish-trajneri i Prishtinës, Dragan Radoviq, i cili dha dorëheqje pak më parë dhe do të debutojë te pejanët.

Kur flet për triumf në kampionat, Azemi bazohet në të kaluarën. Ai thotë se Prishtina nuk është llogaritur favorite as në turneun e Superkupës dhe atë të Kupës, të cilët i fitoi dhe tani është në kërkim të trofeut të tretë këtë edicion. Nëse futet në plejof, Prishtina do të ketë një rrugëtim të ngjashëm sikurse në Superkupë e Kupë, pasi garat do t’i nisë në raundin e çerekfinaleve. Në plejof do të futen gjashtë ekipet e para në tabelë të pjesës së rregullt, por katër prej tyre do të luajnë në çerekfinale. Skuadra e parë dhe e dytë do të kualifikohen direkt në gjysmëfinale.

Azemi thotë se Prishtina është e përgatitur që të futet në plejof prej pozitës së gjashtë, të cilën edhe e ka synim. Aktualisht, Prishtina ka një pikë më shumë se Vëllaznimi që është i fundit dhe një më pak se Trepça e cila mban pozitën që Prishtina po e synon. 40-vjeçari insiston se Prishtina ka ekip më të mirë se Trepça e Vëllaznimi dhe se do t’ia dalë të futet në plejof.

“Realisht, kemi ekip më të mirë. Fillimisht duhet ta kapim pozitën e gjashtë dhe kjo është më e rëndësishmja për ne. Nëse e sigurojmë këtë pozitë dhe plejofin, atëherë nuk do ta kemi problem të luftojmë për titull. Kur e them këtë bazohem te Superkupa dhe Kupa, të cilat i fituam. Pra, do të jetë një reprizë për ne”, u shpreh Azemi. “Në plejof jemi më seriozë dhe kemi më shumë përvojë në ndeshje të tilla, pasi këtë e dëshmuam me dy trofetë e fituar, ku edhe nuk konsideroheshim si favoritë. Kështu që, njëherë pozita e gjashtë dhe plejofi, pastaj titulli i kampionit”.