Sport

Curri i Prishtinës: Ishim të lodhur për shkak të orarit të ngjeshur

Ndihmëstrajneri i Prishtinës, Debatik Curri, pas duelit të fituar të shtunën në stadiumin “Riza Lushta” në Mitrovicë, nënvizoi se është vërejtur lodhja te futbollistët kryeqytetas për shkak të orarit të ngjeshur.

Ndeshjen me Trepçën ’89 e vlerësoi tejet të vështirë, njësoj si ato të mëparshmet.

“Kemi qenë të përgatitur për një rezultat maksimal. E kemi ditur se kjo ndeshje do të jetë shumë e vështirë. Edhe në të kaluarën kemi pasur vështirësi, sidomos në Mitrovicë. Ekipi ka qenë i lodhur sepse çdo tre ditë kemi pasur ndeshje. Jemi të kënaqur më paraqitje, do të kemi pushim deri në javën tjetër për t’u përgatitur sa më mirë”, theksoi Curri.

Ishte ndeshja e 13-të për Prishtinën pa humbje në Superligën e Kosovës, ndërsa prishtinasit fituan për herën e katërt në po aq ndeshje të stinorit pranveror.

Me këtë fitore, Prishtina me 44 pikë i është afruar vetëm një pikë kreut të tabelës që mbahet nga Ballkani që ka një pikë më shumë, por një ndeshje më pak të zhvilluar. Me një ndeshje më pak të zhvilluar e me 44 pikë është edhe Drita në vendin e tretë.