2 perditesime
14:59

Fitore dramatike e Prishtinës në Mitrovicë

Leonit Abazi ka shënuar golin e fitores për Prishtinën kundër Trepçës ’89 në stadiumin “Riza Lushta” në Mitrovicë.

Mbrojtësi Abazi shënoi për rezultatin final 2:1 krejt në fundin e ndeshjes, në minutën e gjashtë të kohës shtesë, pas asistimit të mesfushorit Qendrim Zyba.

Prishtina kaloi fillimisht në epërsi me golin e Lumbardh Dellovës në minutën e 52-të. Shifrat i barazoi Arbnor Muja në minutën e parë të kohës shtesë.

Prishtina e fiton edhe ndeshjen e katërt në stinorin pranveror, derisa Trepça ’89 mposhtet për herë të parë në Mitrovicë, pas pesë ndeshjeve pa humbje.

Me trepikëshin e arritur, Prishtina e udhëhequr nga trajneri Zekirija Ramadani ngjitet në vendin e dytë me 44 pikë, aq sa ka edhe Drita në vendin e tretë me një ndeshje më pak të zhvilluar.

Trepça ’89 është në vendin e pestë me 28 pikë.

14:51

Arbnor Muja barazon shifrat në Mitrovicë

Arbnor Muja ka barazuar rezultatin në stadiumin “Riza Lushta” të Mitrovicës ndaj Prishtinës.

Muja shënoi në minutën e parë të kohës shtesë. Ai e kaloi portierin Ardit Nika dhe shënoi në portën e zbrazët.

Muja u asistua nga Mohamed Darwish.

14:17

Dellova kalon në avantazh Prishtinën ndaj Trepçës ’89

Qendërmbrojtësi Lumbardh Dellova i ka dhënë skuadrës së Prishtinës avantazhin e një goli në stadiumin “Riza Lushta” në Mitrovicë.

Kryeqytetasit me golin e Dellovës në minutën e 52-të janë duke fituar ndaj Trepçës ’89 në udhëtim, në hapje të xhiros së 22-të në Superligën e Kosovës në futboll.

Pas harkimit nga këndi, me kokë fillimisht gjuajti mesfushori Qendrim Zyba, ndërsa topi përfundoi te Dellova që nuk gaboi me gjuajtje të fuqishme nga afërsia dhe mposhti portierin Ardit Hyseni.