Sport

LeBron James i kundërpërgjigjet ashpër Ibrahimoviqit

LeBron James u është përgjigjur kritikave që Zlatan Ibrahimoviqi ia bëri atij për shkak të angazhimit politik me premtimin ai nuk do të heshtë asnjëherë e të driblojë.

Ylli i Los Angeles Lakers po ashtu theksoi se Ibrahimoviqi nuk ishte ndjerë njësoj kur vinte në pah padrejtësitë kur futbollisti përmendi termin racizëm në shtetin e tij Suedinë para tri vitesh.

Sulmuesi i Milanit e kritikoi Jamesin dhe sportistët e tjerë të enjten në një intervistë dhënë për “Discovery Plus”.

Ibrahimoviqi e vlerësoi si “gabim” që Jamesi dhe sportistët e tjerë përfshihen në kauza politike, duke nënvizuar se “ata duhet të bëjnë çfarë bëjnë më së miri, sepse nuk duken mirë”.

Jamesi iu kundërpërgjigj qëndrimit të Ibrahimoviqit pas fitores së Lakersit 102:93 kundër Portland Trail Blazersit.

“Nuk do ta mbyllë gojën asnjëherë për gjërat që janë gabim”, ka thënë James.

“I mësoj njerëzit e mi për barazi, padrejtësi shoqërore, racizëm, shtypjen e vazhdueshme të votuesve, gjëra që zhvillohen në komunitetin tonë. E di se çfarë po ndodh ende sepse e kam një grup prej 300 e më shumë fëmijëve që përballen me të njëjtën gjë, dhe ata kanë nevojë për një zë, e unë jam zëri i tyre. Do ta përdor platformën time për të hedhur dritë në atë se çfarë po ndodh në këtë shtet dhe në botë. Nuk ka asnjë mënyrë që unë të qëndrojë vetëm në sport, sepse e di se sa e fuqishme është platforma dhe zëri im”, nënvizoi Jamesi. Jamesi e financon shkollën “Unë Premtoj” në vendlindjen e tij në Akron të Ohios.

Jamesi po ashtu ia kujtoi një deklaratë Ibrahimoviqit, të bërë në vitin 2018. Ibrahimoviqi u lind në Suedi. Babanë e ka nga Bosnja ndërsa nënën nga Kroacia.

“Ai është një djalë që ka thënë në Suedi, se për shkak të mbiemrit që e ka e që nuk është tradicional suedez, e ka ndjerë se po fyhet në baza racore kur hynë në fushë”, përfundoi Jamesi.