Forma e jashtëzakonshme e Lara Gut-Behramit ka vazhduar të premten në Val di Fassa të Italisë, teksa garat e Kupës së Botës në skijimin alpin kanë vazhduar pas Kampionatit Botëror 2021.
Pas dy medaljeve të arta dhe një medaljeje të bronztë në Cortina 2021, 29-vjeçarja fitoi për herën e parë në disiplinën e lëshimit në Trentino, dhe e kalon Petra Vlhovan në krye të renditjes së përgjithshme.
Në shtegun “La Volata”, Gut-Behrami, bashkëshortja e Valon Behramit, ishte prapa Ramona Siebenhoferit me kohë për pjesën më të madhe të garës. Megjithatë, Gut-Behrami e arriti shpejtësinë 128 km/h krejt në fund dhe e kaloi austriaken. Arriti në finish me kohën 1 minutë, 23 sekonda e 93 të qindtat.
Kampionia në fuqi, Corinne Suter, përfundoi e treta me 0.26 sekonda prapa fitueses.
Pas katër fitoreve të njëpasnjëshme në disiplinën Super-G, Gut-Behrami e fitoi ngjarjen e parë të sezonit në disiplinën e lëshimit. Ishte triumfi i saj i 10-të në karrierën e saj, më shumë se çdo skitare tjetër aktive.
Deri në fund të kalendarit të garave kanë mbetur edhe 10-t ngjarje tjera. Skitarja zvicerane prinë në renditjen e përgjithshme me 1,047 pikë, e përcjellë nga Vlhova që ka 1,018 dhe Michelle Gisin me 807 pikë.
Në Val di Fassa do të ketë gara të shtunën dhe të dielën, në disiplinën e lëshimit dhe në Super-G.