Kampioni i Italisë, Juventusi po shihet si favorit për transferimin e sulmuesit holandez Memphis Depay në fund të këtij edicioni. Mediumet italiane kanë raportuar të enjten, se Juventusi tashmë i ka bërë ofertë zyrtare Depayt, i cili në verë do të jetë futbollist i lirë, pasi ka refuzuar rinovimin e kontratës me Lyonin.
Bëhet e ditur se Juventusi i ka ofruar Depayt kontratë pesëvjeçare me pagë vjetore prej pesë milionë eurosh për ta bindur që të transferohet në Torino.
Sulmuesi 27-vjeçar, te Juventusi po shihet si përforcim i duhur për sulmin dhe për këtë arsye po insiston në transferimin e tij.
Depay këtë edicion ka shënuar 14 gola dhe ka asistuar gjashtë herë në 26 ndeshje në të gjitha garat për Lyonin, ekip të cilit iu bashkua në fillim të vitit 2017 nga Manchester Unitedi.
Krahas Juventusit, interesim për shërbimet e Depayt ka treguar edhe Barcelona.