Kylian Mbappe tashmë ka fituar Kupën e Botës dhe ka shënuar në finale të kësaj gare, por ai ende nuk kishte prodhuar një paraqitje të nivelit të lartë në Ligën e Kampionëve deri të martën mbrëma në “Camp Nou”, kur shpërtheu ndaj Barcelonës së Lionel Messit. Sulmuesi u tregua fatal për Barcelonën në ndeshjen e parë të 1/8 së finales të Championsit. Ai shënoi “hat-trick” në fitoren e thellë të Paris Saint-Germainit, që ishte pa Neymarin, me rezultatin 4:1, që mund të jetë vendimtar për kualifikimin e francezëve në çerekfinale përpara ndeshjes së kthimit që luhet pas tri javëve.
Mbappe, 22-vjeçar, e “terrorizoi” mbrojtësin e krahut të djathtë të Barcelonës, Serginho Destin, gjatë tërë ndeshjes dhe udhëhoqi PSG-në që ishte në disavatazh pas golit të Messit nga penalltia drejt një triumfi të thellë.
“Kur Kyliani shkëlqen në ndeshjet e mëdha, përfundimisht e bën ndryshimin”, tha kapiteni i PSG-së, Marquinhos.
Kjo paraqitje fantastike e Mbappes ka bërë që te Parisi të jenë optimistë sa i përket kualifikimit në çerekfinale, edhe pse herën e fundit kur u takuan këto dy skuadra ndodhi një prej rikthimeve më të mëdha në histori të Championsit.
Në fakt, pjesa më e madhe e diskutimeve para ndeshjes në “Camp Nou” kishin të bënin me atë që ndodhi para katër vjetësh, kur Parisi e kishte fituar duelin e parë në shtëpi 4:0 përpara se të gjunjëzohej në ndeshjen e kthimit dhe të eliminohet pas disfatës 6:1 në të njëjtën fazë të garave. Ky poshtërim nga Barcelona e detyroi Parisin që në fund të atij edicioni të paguajë klauzolën e lirimit të Neymarit që ishte “fajtori” kryesor për eliminimin e tyre.
Parisienët paguan një tarifë rekorde prej 222 milionë eurosh për transferimin e Neymarit, i cili mungoi të martën mbrëma dhe ka gjasa të mëdha që mos të paraqitet as më 10 mars kur luhet ndeshja e kthimit për shkak të lëndimit. Krahas Neymarit, PSG-ja nuk pati nevojë as për Angel Di Marian për ta mposhtur Barcelonën, pasi i mjaftoi Mbappe, i cili pas kësaj paraqitjeje ka rritur dukshëm optimizmin për triumf në Champions këtë sezon pas humbjes në finalen e edicionit të shkuar.
“Nëse Mbappe vazhdon me paraqitje të tilla edhe në ndeshjet e tjera, atëherë besoj se mund të triumfojmë në Ligën e Kampionëve, edhe pse është ende herët të flitet. Megjithatë, fitorja me Barcelonën ka krijuar një vetëbesim të madh në ekip”, paralajmëroi Marquinhos.
Përkundër bisedimeve se Neymari është afër për ta rinovuar kontratën që i skadon vitin e ardhshëm, paraqitja e Mbappes kundër Barçës dëshmoi rëndësinë e sulmuesit për projektin e PSG-së. Ai e poshtëroi Barcelonën dhe me këtë veprim mund ta ketë bindur presidentin e Real Madridit, Florentino Perezin, që të gjejë fonde për ta transferuar në “Santiago Bernabeu” gjatë kësaj vere.
Mbappe ka kontratë deri vitin tjetër, por ai ende nuk ka vendosur për të ardhmen e tij, përkundër që drejtuesit e ekipit francez tashmë i kanë ofruar kontratën e re. Gjërat mund të bëhen akoma me keq për Barcelonën, nëse Mbappe transferohet te Reali dhe PSG-ja vendos ta zëvendësojë atë me Messin, pasi kontrata e argjentinasit me ekipin nga La Liga përfundon në fund të këtij sezoni.
“Këtë edicion më së shumti jam përgjigjur në pyetjen për të ardhmen time. Nuk besoj se e ardhmja ime bazohet në një ndeshje të mirë apo të dobët. Është çmenduri të flas tani për të ardhmen time, për shkak se ka ende kohë. Vendimi im nuk do të bazohet në një apo dy ndeshje, edhe pse kam thënë se te Parisi ndihem shumë mirë”, është shprehur Mbappe. “Fokusi im kryesor këtë edicion është ta ndihmoj ekipin t’i arrijë synimet që ka dhe triumfi në Champions do të ishte diçka fantastike”.
Pa Neymarin përkrah, Mbappe është bërë lojtari i dytë që ka shënuar “hat-trick” kundër Barcelonës në stadiumin “Camp Nou”, pasi një gjë të tillë para tij e kishte bërë Andriy Shevchenko me fanellën e Dynamo Kievit në vitin 1997. Mbappe gjithashtu është edhe shënuesi i tretë më i mirë i të gjitha kohërave te PSG-ja pas vetëm katër vjetësh e gjysmë në klub. Ai ka 110 gola me fanellën e parisienëve dhe para vetes ka vetëm Edinson Cavanin e Zlatan Ibrahimoviqin.