Prishtinë, 12 shkurt – Bismark Charles Sie nuk e kishte menduar që kaq shpejt do të arrinte të kalonte në një klub me nam të një vendi evropian.
Në nëntor të vitit të kaluar, Sie kishte thënë për KOHËN se Superligën e Kosovës në futboll do ta përdorte si një trampolinë për një ligë më të fortë të Evropës. Dhe kështu veproi. Ai të premten u zyrtarizua te ekipi më i suksesshëm i Bullgarisë, CSKA Sofja.
Sie ishte njëri prej shumë transferimeve të bëra nga KF Vushtrria në janar të vitit të kaluar. Pak informata kishte për të, por pjesën e dytë të edicionit 2019/20 e kishte mbyllur me katër gola të shënuar në nëntë ndeshje.
Paraqitjet e mira në elitën e futbollit kosovar, ndonëse me ekipin inferior të Vushtrrisë, morën vëmendjen e drejtuesve të klubit mitrovicas, Trepça ’89, të cilët e transferuan Sien në fillim të edicionit aktual.
Sie në 17 ndeshje të zhvilluara me “xehetarët” arriti të shënojë gjashtë gola. Dhe shpërblimi erdhi të premten kur u zyrtarizua te CSKA, ndonëse kishte kaluar një fazë testimi te ky klub.
“Po ndihem mirë te ekipi i ri dhe jam shumë i lumtur. Është ekipi më i madh në Bullgari”, ka thënë të premten për KOHËN sulmuesi 19-vjeçar nga Gana, Sie.
Ai shpreson që shumë shpejt të paraqitet edhe për përfaqësuesen e shtetit të tij, por shton se i duhet punë e madhe për të arritur në nivel reprezentues.
“Menaxherët e kanë kryer punën e tyre dhe kanë bërë që unë të jem këtu. Por edhe paraqitjet e mia janë meritë që nuk duhet lënë anash. Kam punuar shumë për këtë gjë. Planet e mia tani janë që ta ndihmoj CSKA Sofjen të shpallet kampion në Bullgari. Më pas të luaj në Ligën e Kampionëve që është një ëndërr për mua”, ka shtuar sulmuesi i talentuar.
CSKA Sofja është ekipi më i suksesshëm në kampionatin bullgar. Është shpallur 31 herë kampion, por epitetin e më të mirit nuk e ka që prej edicionit 2007/08. Sie shpreson që të jetë ndihmesë e madhe në këtë aspekt. Ai e pranon se zyrtarët e klubit bullgar e kanë përcjellë një kohë derisa i ka bindur për t’i ofruar kontratë.
Se Sie ka impresionuar me paraqitje në prova, ka treguar edhe vetë klubi në faqen zyrtare.
“Sulmuesi Bismark Charles është zyrtarisht lojtar i CSKA-së. Zyrtarët e klubit i kanë finalizuar negociatat me klubin e Trepçës ’89 nga Kosova dhe i riu ka nënshkruar kontratë afatgjatë me 31 herë kampionin e Bullgarisë. Ganezi që do t’i mbushë 20 vjet në maj e ka impresionuar stafin teknik me paraqitjet e tij”, shkruan në njoftimin zyrtar të klubit bullgar.
Sie është i lumtur për transferimin në Bullgari.
“Gjithmonë e kam pritur një lëvizje të tillë, por asnjëherë nuk e kam ditur se do të ndodhë kaq shpejt, si tani”, ka shtuar Sie.
Bismark Sie shkëlqeu në fitoren e Trepçës ’89 kundër Ballkanit me rezultatin 4:3 në tetor të vitit të kaluar.
Sulmuesi ganez shënoi tre gola në atë duel të xhiros së tetë të Superligës së Kosovës në futboll. Ishte edhe “hat-tricku” i tij i parë në karrierën e shkurtër, por të suksesshme.
“Mendoj se kam shumë momente të mira të kaluara në Kosovë dhe në Superligën e Kosovës në futboll. Por momenti më i mirë është kur shënova ‘hat-trick’ kundër Ballkanit. Më ka ngritur edhe moralin jashtëzakonisht shumë”, theksoi Sie.
Nga Trepça ’89 viteve të fundit një numër i konsiderueshëm i futbollistëve kanë kaluar në kampionate të ndryshme evropiane.
I fundit ishte Milot Avdyli që shkoi në rangun e dytë të futbollit zviceran, tek Aarau.
Më parë Arb Manaj kishte kompletuar transferimin në Turqi, në kategorinë e dytë.