Eugen Saraçini do të jetë në krye të Federatës së Hendbollit të Kosovës (FHK) edhe për një mandat katërvjeçar.
FHK-ja të premten ka mbajtur Kuvendin e rregullt zgjedhor, në të cilin përkrahja ishte absolute për Saraçinin.
Për mandatin e tij të tretë në krye të FHK-së, Saraçini u zgjodh me shumicë absolute të votave.
Ai është në krye të FHK-së që nga viti 2012. Me shumicë absolute është zgjedhur edhe nënkryetari i FHK-së, Enis Idrizi, që ka mbajtur këtë pozitë edhe deri më tani.
Ndërkohë, me votat e kuvendarëve, në Bordin e FHK-së janë zgjedhur Bajram Isufi, Xhavit Morina e Fatmire Ferati. Shemsa Sadikut i takon vendi në Bord i rezervuar për minoritete. Ndërkohë, kryetari Saraçini ka emëruar anëtarë të Bordit edhe Edi Kolgecin, Bujar Istrefin e Berat Danën. Në Këshillin Mbikëqyrës janë zgjedhur Destan Rukiqi, Ylli Pajaziti dhe Rafet Ferizi.
Në njoftimin e FHK-së, thuhet se të gjitha raportet janë aprovuar pa asnjë vërejtje derisa prezent në kuvend ishin edhe përfaqësuesit e MKRS-së dhe KOK-ut. Para kuvendarëve presidenti Saraçini ka mbajtur një fjalim ku ka folur për sukseset e arritura në dy mandatat e kaluara si dhe për planet e synimet për mandatin e ardhshëm.