Sport

Ballkani i pandalshëm, mposht edhe Vorsklan

Ballkani i Suharekës po rreshton fitoret gjatë fazës përgatitore në Antalia të Turqisë. Pasi fitoi ndaj Jagiellonias të Polonisë dhe ekipit U-21 të CSKA Moskës, Ballkani të dielën u përball me skuadrën ukrainase, Vorskla Poltava. Fitoi me rezultatin 2:1.

Vorskla kaloi në epërsi në minutën e 14-të pas një pakujdesie në mbrojtjen e Ballkanit. Rezultatin në 1:1 e barazoi Mirlind Daku me golin e shënuar në minutën e 29-të. Ai shënoi me gjuajte të ultë dhe të saktë.

Për 2:1 shënoi Arbër Hoxha nga pika e bardhë. Ai konkretizoi penalltinë e siguruar nga Blendi Baftiu.

Te Vorskla e Poltavës karrierë kanë bërë Armend Dallku, Debatik Curri e Ahmed Januzi. Madje Dallku e Curri vlerësohen shumë lartë për kontributin që e kanë dhënë për Vorsklan, ekipin elitar të Ukrainës.

Miqësoren e radhës Ballkani e luan ndaj Montanas së Bullgarisë, më 27 janar. Kjo skuadër luan në elitën bullgare.