Sport

Trofeu i parë i vitit në futbollin kosovar vendoset në Turqi

Prishtinë, 21 janar - Ndeshja e Superkupës së Kosovës në futboll ndërmjet Dritës dhe Prishtinës do të luhet në Antalia të Turqisë, pavarësisht frikës që kishin të dyja klubet lidhur me testet për koronavirus.

Drejtuesit e Dritës dhe të Prishtinës kishin deklaruar për KOHËN në fillim të kësaj jave se nëse nuk do të pranohen testet për COVID-19 të kryera në Kosovë, atëherë nuk do të pranojnë të luajnë.

Lajmi se ndeshja e Superkupës do të zhvillohet është konfirmuar nga Federata e Futbollit e Kosovës, por edhe nga drejtuesit e Dritës dhe të Prishtinës. Kjo ndeshje do të zhvillohet të shtunën prej orës 12:00 në “Mardan Stadium”.

“Tashmë është gjithçka gati për ndeshjen e Superkupës ndërmjet Dritës dhe Prishtinës. Për herë të parë organizimi i ndeshjes së Superkupës do të bëhet jashtë vendit, më saktësisht në Antalia, në qendrën sportive Mardan. Klubet janë të obliguara t’i përmbahen masave anti-Covid19, që janë të caktuara me ligjet e autoriteteve turke, por sa i përket testit për koronavirus ekipeve do t’u vlejë testi me të cilin kanë hyrë në Turqi”, ka njoftuar FFK-ja të enjten.

Drejtori i Dritës, Feti Murseli, ka konfirmuar për KOHËN se ndeshja do të zhvillohet me testet që janë kryer në Kosovë.

“Ndeshja e Superkupës kundër Prishtinës do të luhet të shtunën nga ora 14:00 me kohën lokale në Turqi. Testet e koronavirusit që i kemi kryer në Kosovë do të pranohen për këtë ndeshje. Kjo ka qenë edhe kërkesa jonë, përndryshe nuk do të pranonim të luanim nëse do të kishte raste pozitive, pasi do të duhej të izoloheshin personat e infektuar dhe do të rrezikohej faza përgatitore dhe fillimi i kampionatit. Ne jemi gati për këtë ndeshje dhe besoj që lojtarët do ta japin maksimumin”, tha Murseli.

Ndërkaq drejtori sportiv i Prishtinës, Fisnik Kërçeli, deklaroi se nuk ka ndryshim të orarit apo anulim të ndeshjes.

“Deri më tani nuk ka asnjë ndryshim. Ndeshja do të zhvillohet më 23 janar, ashtu siç është përcaktuar. Kaq mund të them për momentin. Ne jemi të interesuar që kjo ndeshje të zhvillohet ashtu siç ka qenë e paraparë. E kemi thënë edhe më herët që ne dëshirojmë të mos testohemi në Turqi, pasi kemi përvojë jo të mirë me testet jashtë Kosovës. Krejt kjo për shkak se mund ta rrezikojmë fazën përgatitore e po ashtu do të ishte e dëmshme edhe për kampionatin tonë nëse do të kishte raste pozitive në Antalia. Çështja e izolimit do ta mund ta komplikonte situatën”, u shpreh Kërçeli.

Se ndeshja do të luhet në datën e paraparë, e ka konfirmuar edhe kryetari i FFK-së, Agim Ademi. Ai ka thënë se dueli i Superkupës do të luhet në Turqi me testet hyrëse dhe se ekipet kosovare duhet të respektojnë masat me përpikëri.

“Do të vlejnë testet hyrëse dhe ekipet nuk kanë nevojë për teste në Turqi që ta zhvillojnë ndeshjen e Superkupës. Ato vetëm duhet t’i respektojnë masat me përpikëri”, është shprehur Ademi.

Kjo do të jetë hera e parë që ndeshja e Superkupës do të zhvillohet jashtë Kosovës.

Kjo do të ndodhë me kërkesën e të dyja klubeve, të cilat ndodhen në Turqi për fazën e fundit të përgatitjeve në prag të stinorit pranveror që nis muajin tjetër. Prishtina dhe Drita janë takuar në kuadër të Superkupës edhe në vitin 2019, ku pati triumfuar ekipi nga Gjilani (2:1). Drita e ka fituar vetëm një herë Superkupën e Kosovës, kurse Prishtina është nëntë herë fituese e këtij trofeu.

Ndeshja do të zhvillohet pa praninë e shikuesve dhe do të drejtohet nga gjyqtarë turq, me stemë të FIFA-s. Kjo është bërë e mundshme pas takimit që drejtuesit e FFK-së e patën të mërkurën me ata të Federatës së Futbollit të Turqisë. Prishtina dhe Drita do të përballen edhe në 1/8 e finales së Kupës, duel që do të zhvillohet më 10 shkurt në “Fadil Vokrri”.