Sport

Berisha kishte ëndërruar si fëmijë të luajë për Kosovën

 Prishtinë, 21 janar – Valon Berisha thotë se i është mirënjohës përjetësisht Norvegjisë që ia dha mundësinë të luajë për shumë vjet. Por, Berisha në një intervistë të gjatë për “sofoot.com” ka thënë se kishte ëndërruar si fëmijë që një ditë do të luajë për Kosovën. Mesfushori 27-vjeçar i skuadrës franceze, Reims, në vitin 2016 vendosi ta lërë Norvegjinë për t’iu bashkuar Kosovës. Ai deri më tani për “Dardanët” ka shënuar tri gola në 18 paraqitje.

“Unë kam një respekt të madh dhe do t’i jem përjetësisht mirënjohës Norvegjisë. Unë u rrita atje, ata më lejuan të kaloja këto momente të para të rëndësishme në një karrierë futbolli dhe mbi të gjitha, ata më dhanë mundësinë të luaj për vendin e tyre... më kujtohet, kur isha i vogël, se ëndërroja që Kosova ta kishte një ekip kombëtar në mënyrë që unë t’i përfaqësoja rrënjët e mia, për të dhënë një shembull për brezat e rinj. E mora vendimin ta përfaqësoj Kosovën për të qenë pikë reference dhe shprese për të rinjtë”, ka thënë Berisha.

Berisha ka lindur në Malmo të Suedisë, por është rritur në Norvegji. Ka luajtur për të gjitha grupmoshat e Norvegjisë, derisa për ekipin “A” i luajti 20 ndeshje. Mundësinë si të Valonit e kishte edhe vëllai i tij i vogël, Vetoni. Por, Valoni jep një shpjegim se pse Vetoni qëndroi te Norvegjia dhe ai vendosi ta përfaqësojë Kosovën.

“Mund të ketë qenë gjëja më e mirë e mundshme, njëri të vazhdojë të luajë për Norvegjinë dhe tjetri të luajë për Kosovën. Në një farë mënyre, kjo tregon se ne, si familje, jemi mirënjohës. Kjo zgjedhje na lejon të shihemi mirë në të dyja vendet, sepse pa Norvegjinë, ku do të ishim”, ka theksuar Berisha.

Lejen për ta përfaqësuar Kosovën, Berisha e kishte marrë disa orë para ndeshjes së parë kualifikuese për kampionatin botëror “Rusia 2018”, atë kundër Finlandës, që pati përfunduar me rezultatin 1:1. E Berisha ishte shënues i golit për “Dardanët”.

“Në fushë, ne nuk kishim një himn, kishim vetëm ritmin e tij. Por, vetëm duke dëgjuar atë, duke qenë afër shokëve të mi të skuadrës që mbronin ngjyrat e Kosovës, si unë, ishte diçka shumë intensive. Ne e dominuam lojën , por ata hapën rezultatin. Kur barazuam nuk ishim shumë larg për ta fituar lojën 2:1. Kishte ndoshta 15 mijë shikues atë ditë në Finlandë dhe prej tyre të paktën ishin 10 mijë për Kosovën. Ishte plot kosovarë apo shqiptarë. Më dukej sikur luanim në shtëpi, ishte çmenduri. Dhe, më pas goli i barazimit ishte padyshim moment i jashtëzakonshëm”, ka theksuar ai duke insistuar se paraqitja e parë me Kosovën, ka qenë një nga momentet më të rëndësishme në jetën e tij. “Dua të arrij gjëra të mëdha, ëndrra ime do të ishte ta çoja Kosovën në ‘Euro’ ose në Kupën e Botës. Të luaj në një klub që fiton titullin. Ky do të jetë gjithmonë qëllimi im, asgjë nuk është e pamundur”.

Mesfushori i Përfaqësueses së Kosovës, Valon Berisha, ka pranuar se është adaptuar shumë mirë te skuadra e Reimsit, gjë që po dëshmohet edhe me paraqitjet e tij të mira këtë edicion. Ai ka thënë se i është nevojitur pak kohë te Reimsi derisa e ka marrë veten pasi i është dashur të njihet më mirë me bashkëlojtarët dhe të kuptojë filozofinë e lojës së trajnerit David Guion.

“Te Reimsi po ndihem si në shtëpi edhe pse në fillim më është dashur pak kohë që të adaptohem. Të njëjtën situatë që po e shijoj te Reimsi e kam përjetuar te Salzburgu, dhe më pëlqen shumë”, është shprehur Berisha. “Më pëlqen të jem paksa lider dhe kam pasur ndjenjën se projekti i Reimsit ishte i duhuri për mua. Krahas paraqitjeve të mira, unë mundohem t’u ndihmoj edhe lojtarëve të rinj dhe kjo më bën të ndihem se në ekip kam një rol të rëndësishëm”.

Berisha ka thënë se këtë edicion, trajneri Guion i ka kërkuar atij të sulmojë më shumë dhe të marrë përgjegjësi më të madhe, gjë që po mundohet edhe ta bëjë. 27-vjeçari këtë sezon ka një gol e dy asistime për Reimsin në 18 paraqitje në të gjitha garat. Ai tek ekipi francez u transferua vitin e shkuar dhe firmosi kontratë deri në vitin 2024. Berisha karrierë ka bërë edhe te Lazio, Fortuna Duesseldorfi, Salzburgu e Vikingu.