36 sekonda para fundit të ndeshjes, Tunizia ishte duke udhëhequr me dy gola ndaj Brazilit. Dukej e pamundur që brazilianët të kthehen në lojë. Por në hendboll asgjë nuk është e pamundur. Brazilianët u mbrojtën mirë, shënuan dy gola të shpejtë dhe fituan pikën e radhës.
Ndeshja e grupit B të Botërorit të hendbollit përfundoi 32:32. Pas pjesës së parë Tunizia kishte katër gola epërsi, 20:16.
Për Brazilin është barazimi i dytë, pasi dy ditë më parë barazoi 29:29 me Spanjën. Tunizia ka fituar pikën e parë.
Po të dielën, Katari fitoi 31:29 ndaj Japonisë, ndërsa Kroacia me paraqitje të fuqishme në pjesën e dytë e mposhti Angolën me rezultatin 28:20. Argjentina fitoj ndaj Bahrejnit me 24:21.
Ndeshje të tjera janë duke u luajtur. Botërori po mbahet në Egjipt.